Dëshmia e ish-zyrtares së OSBE-së në Hagë: Shqiptarët që ishin miq me serbët konsideroheshin kolaboracionistë nga UÇK-ja, anëtarët e LDK-së shënjestroheshin
Ish-zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Sandra Mitchell përgjatë dëshmisë së saj në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, deklaroi që shqiptarët e Kosovës që ishin të afërt apo që kishin miqësi me serbët apo pjesëtarët e pakicave të tjera, konsideroheshin si bashkëpunëtorë ose kolaboracionistë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Në vijim, ajo theksoi se ky fenomen ka ndodhur si para, ashtu edhe pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
“Gjatë kohës sime në Kosovë, si para ndërhyrjes së NATO-së dhe më pas, shqiptarët e Kosovës që mund të ishin miq ose që mund të kishin pasur shokë serbë apo fqinjë që ishin pjesë e pakicave, këta persona konsideroheshin në thonjëza si kolaboracionistë dhe shenjestroheshin nga UÇK-ja dhe mbështetësit e tyre në atë kohë” – deklaroi Mitchell.
Tutje, dëshmitarja Mitchell u pyet lidhur me raportet e OSBE-së në Kosovë.
Dëshmitarja deklaroi se kishte raporte që anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të shënjestruar, ngacmoheshin dhe frikësoheshin nga anëtarët e UÇK-së.
“Më kujtohet që LDK-ja ka qenë partia e fundit politike e zgjedhur në Kosovë. Kishin shumë poste burokratike dhe në administratat paralele që e kryesonte z.Rugova si kryetar i LDK-së. Pas rifutjes në Kosovë, pas ndërhyrjes së NATO-s, morëm raporte të shumta, një ishte për shembull për zonën e Gjilanit ku përfaqësues të LDK-së ishin të shënjestruar, ngacmoheshin dhe frikësoheshin nga anëtarët e UÇK-së, përpiqeshin të përmbushnin hapësirën politike që kishte zënë LDK-ja” – tha dëshmitarja Mitchell.
Mitchell, tutje tha se kishte më shumë ngacmime dhe frikësime ndaj pakicave, gjë që solli largime të shumta.
“Sigurisht që kishte më shumë ngacmime, frikësim ndaj pakicave. Pakicat e ndjenin më shumë këtë në Kosovë që solli edhe largimet e shumta të tyre, por edhe në kohën që ne u kthyem kishte një ndjesi frike që i pengonte shqiptarët e Kosovës që të merrnin pjesë në procese publike në aspektet ndëretnike dhe në përgjithësi kjo kishte ndikim tek shqiptarët e Kosovës që ose nuk e mbështesnin UÇK-në ose perceptoheshin si persona që nuk e mbështesnin UÇK-në” – shtoi e njëjta.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barth, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.