James O'Brien, Foto: REL

Zyrtari amerikan O’Brien ia përmend Osmanit Asociacionin

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, duke iu referuar bisedës telefonike që kishte me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se kanë diskutuar për rregulloren e BQK-së në lidhje me dinarin si dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Zyrtari amerikan mes tjerash përmendi zbatimin e marrëveshjeve mes të dyja palëve, përfshirë formimin  e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga ana e Kosovës.

“Telefonatë e mirë me Vjosa Osmanin sot. Ne diskutuam rëndësinë e zbatimin e rregullave monetare në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin e pakicës serbe, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e Dialogut të BE-së – për Kosovën kjo përfshin AKS-në” – shkroi O’Brien në platformën “X”.

Më herët edhe presidentja Osmani shkroi në Twitter rreth bisedës telefonike që kishte me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Ndërkaq, përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 01.02.2024, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Në një intervistë javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Lëmshi rreth Asociacionit, të dhënat e raportit të BIRN-it “Big Deal”