Osmani bisedon me O'Brien për partneritetin me SHBA-në dhe marrëveshjen e Brukselit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ndihmësekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien këtë të hënë (01.04.2024).

Sipas një postimi në platformën “X”, Osmani shkruan se me O’ Brien, kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KiE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit” – shkroi presidentja.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Në një intervistë javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.