Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Lëmshi rreth Asociacionit, të dhënat e raportit të BIRN-it "Big Deal"

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme është duke mbajtur diskutim mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë, pikë kjo e kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti në seancën e sotme të Kuvendit ka përmendur zhvillimet rreth marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha se pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta për progres.

“Te marrëveshja për Asociacionin raportohej që pala serbe ishte dakorduar që Asociacioni të themelohej krejtësisht në përputhej me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, po ashtu thuhej që Asociacioni nuk ka karakter një-etnik me arsyetimin se në komunat që prite të jenë pjesë e asociacionit jetonin edhe nacionalitete tjera përveç atij serb”, tha ai.

“Për të njëjtën marrëveshje përfundohej se i kanë dhënë fund ndarjes së qytetit të Mitrovicës si dhe ndërtimeve  ilegale të Serbisë në veri të vendit, kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi mospërputhshmërisë mes dokumentit mbi Asociacionit dhe Kushtetutës, pas fundit të dhjetorit të vitit 2015”, shtoi kreu i ekzekutivit kosovar.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.

Kjo temë është riaktualizuar sërish, para takimit të parë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel më 15 qershor.

Para këtij takimi presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka përsëritur kërkesën që Asociacioni të jetë pjesë e diskutimeve, kurse kryeministri kosovar Kurti ka thënë se nuk do të ketë asociacion një-etnik.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe mund të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve. Në këtë raport flitet edhe për Asociacionin.

Aty theksohet se Asociacioni do të përfshijë katër komunat e veriut, si dhe Graçanicën, Shtërpcen, Novobërdën, Kllokotin, Ranillugun dhe Parteshin, me Gaçanicën si qendër rajonale për komunat jugore.

Marrëveshja fillestare e vitit 2013 parashihte se Asociacioni do të themelohej dhe do të ishte funksional deri në fund të atij viti. Mirëpo, implementimi pati një lloj ngecje deri në verën e vitit 2015.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel lidhur me një varg parimesh dhe elementesh kryesore të Asociacionit, të cilat herë do kur duhen përkthyer në tekst statuti.

Megjithatë, gati menjëherë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, blloku opozitar i Kosovës atë kohë, i përbërë nga Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA) filluan të protestojnë kundër vendimit.

Marrëveshja jep hollësi të kompetencave që i jepen asociacionit të 10 komunave me shumicë serbe; të ketë “mbikëqyrje” të plotë në sferat e planifikimit rural dhe urban, zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësi.