Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Presidenti amerikan Joe Biden ka folur me aleatët dhe partnerët e SHBA për t’a koordinuar mbështetjen e ardhshme për Ukrainën. Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se presidenti amerikan e siguroi grupin për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA për Ukrainën dhe për bindjen e tij të fortë se Kongresi nuk do të largohej.

Një pjesë e vogël e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së rrëzuan të martën kryetarin republikan, Kevin McCarthy, mes grindjeve të brendshme partiake. Votimi e ka lënë Kongresin në paqartësi të mëdha në lidhje me ndihmën e mëtejshme për Ukrainën. 

Fuqive ushtarake perëndimore po u mbarojnë municionet për t’i dhënë Ukrainës, kanë paralajmëruar Britania e Madhe dhe NATO.

Ministria bjelloruse e mbrojtjes tha se i ka filluar stërvitjet për ta kontrolluar gatishmërinë luftarake të forcave të saj të armatosura, raportoi Reuters.

Përpjekjet e Kievit për të depërtuar në mbrojtjen ruse në vijat e frontit në lindje dhe jug kanë “dështuar”, ka pretenduar Moska zyrtare.

Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, e ka përshëndetur “humbjen funksionale” të Rusisë në Detin e Zi gjatë javëve të kaluara, duke thënë se “Marina ruse është detyruar të shpërndahet në portet nga të cilat nuk mund të ketë ndikim në Ukrainë”.

Ukrainës i është thënë se është “absolutisht e mundur” që bisedimet e anëtarësimit në BE mund të fillojnë këtë vit, ka thënë presidenti Volodymyr Zelenskiy pas një takimi të papritur të ministrave të jashtëm të BE-së në kryeqytetin ukrainas.

Ukraina i ka shkatërruar 29 nga 31 dronët e lëshuar nga Rusia dhe një raketë lundrimi, kanë thënë forcat e saj ajrore të martën përmes Reuters, shumica e tyre duke i pasur si objektiv rajonet e Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk. Sulmet gjatë natës erdhën në disa valë dhe zgjatën më shumë se tri orë, kishte thënë më herët komanda jugore e forcave të Ukrainës.

Ushtria ruse nuk ka plane për një mobilizim shtesë të burrave për të luftuar në Ukrainë pasi ushtria ka mjaft ushtarakë, u citua të ketë thënë ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA. “Në shtabin e përgjithshëm, nuk ka plane për një mobilizim shtesë”.

Parlamenti i Armenisë e ratifikoi të martën statutin themelues të gjykatës penale ndërkombëtare, duke iu nënshtruar juridiksionit të gjykatës në Hagë, thanë agjencitë shtetërore ruse të lajmeve. Plani ishte kundërshtuar fuqishëm nga Rusia, aleati zyrtar i Armenisë, me të cilin lidhjet janë tensionuar keq për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska dhe rimarrjes së një rajoni të kontrolluar prej tri dekadash nga armenët etnikë nga Azerbajxhani.

Ukraina do të marrë miliarda euro më shumë ndihmë ushtarake, si dhe trajnime për pilotët luftarakë, ka thënë kryediplomati i BE-së, pas një takimi “historik” të ministrave të jashtëm të BE-së në Kiev. Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështjet e jashtme, tha të hënën se blloku 27-vendesh i BE-së mbeti i përkushtuar për ta ndihmuar Ukrainën ta mposhttë një Rusi “brutale dhe çnjerëzore”.

Kremlini zyrtar ka thënë se beson se lodhja me luftën në Ukrainë do të rritet në SHBA dhe Evropë, por se Uashingtoni do të vazhdojë të përfshihet drejtpërdrejt. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka bërë një komentim të tillë pas miratimit të një projektligji financimi nga Kongresi i SHBA-së, i cili nuk e kishte përfshirë ndihmën për Kievin./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala