Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka

Zëdhënësi i VV-së për protestën kundër Speciales: Është dhjetë vjet e vonuar

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka shkruar për protestën që është thirrur për sot në ora 17:00 nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kundër procesit që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Manxhuka shkruan se kjo protestë është e vonuar.

“Protesta është dhjetë vjet e vonuar. Është dashur që në verën e vitit 2015 të kundërshtohet pushteti i atëhershëm” – ka shkruar Manxhuka në rrjetin social Facebook.

Tutje ai ka thënë se nuk mund të ndryshohet historia e Kosovës dhe e luftës çlirimtare e madje as historiku i themelimit të Gjykatës Speciale.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për gjykata normale të cilat dalin pas vettingut dhe se ka nevojë për kryeprokuror të ri por jo për gjykatë speciale jotransparente dhe jashtë praktikave ndërkombëtare.

Ai ka përmendur edhe pagesën prej mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve të Hagë dhe shpenzimet tjera të paguara nga Qeveria Kurti.

“Në intervistën e tij nga Haga para një jave, ish presidenti dhe ish kryeministri Thaçi ishte tepër i butë me Gjykatën Speciale. Protestat nuk mund ta zëvendësojnë a kompenzojnë mungesën e qëndrimit të tij” – ka shkruar tutje Manxhuka.

“Fatkeqësisht, në vitin e pestë që po mbahen në paraburgim ish drejtues të UÇK-së, është e qartë që partia kryesore opozitare çështjen e tyre e ka përdorur shumë më tepër kundër qeverisë Kurti sesa për lirimin e të akuzuarve” – përfundon Manxhuka.

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe organizatave të tjera të dala nga lufta, më 06.08.2025 kanë konfirmuar se gjithçka është gati për protestën që do të mbahet më 07.08.2025, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.

Në një konferencë për media, përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, theksoi se vendimi për organizimin e protestës është motivuar edhe nga fakti se Gjykata Speciale ka pranuar si prova materiale të sjella nga tri institucione të Serbisë, përkundër se drejtuesit e këtyre institucioneve janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi.

“Bëhet fjalë për tri organe shtetërore të Serbisë, të cilat me veprimtarinë e tyre kriminale kanë kryer krime dhe gjenocid mbi popullin tonë. Është e papranueshme që Gjykata Speciale t’i legjitimojë këto institucione përmes pranimit të provave nga ato”- tha Syla.

Ai ka thënë se kjo është e papranueshme dhe është motiv shtesë për të dalë në këtë protestë dhe në protesta të tjera që do të vijnë pas kësaj.

“Për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar të mos lejojnë një gjë të tillë pasi aty po synohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj kjo i lëkund themelet e shtetit tonë”- është shprehur Syla.

Organizatorët kanë theksuar se protesta do të jetë gjithëpopullore dhe paqësore.

Më 28.07.2025, OVL-UÇK në një takim të përbashkët me përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta kanë marrë vendim për protestën që do të mbahet më 07.08.2025.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit – duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni, se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë Aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e Aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.

Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një Aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.

Për Aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Sipas Aktakuzës Thaçi, si dhe Hajredin Kuqi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Demaku akuzohen për “ndikim në dëshmitarë”.

Themelimi i Gjykatës Speciale

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për “krime lufte”, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.

Supremja Vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.

Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.

Pjetër Shala, i njohur me nofkën Komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për “krime lufte”, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.

Raportime të tjera në lidhje me Gjykatën Speciale mund t’i lexoni KËTU.