Salih Mustafa-Seanca ne Apel DHSK

Vendimi i Apelit për uljen e dënimit nga 26 në 22 vite burgim për Salih Mustafën

Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit në lidhje me çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafës, i përbërë nga gjykatësit Mishele Pichar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, shpalli aktgjykimin e parë të apelit të Dhomave të Specializuara (DHSK) në çështjen gjyqësore lidhur me krime lufte.

Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë në kompleksin e ndërtesave të Zllashit më 1999.

Apeli i Gjykatës Speciale ul në 22 vjet burgim dënimin ndaj Salih Mustafës

Paneli i Apelit të enjten konfirmoi verdiktet e fajësisë për Mustafën në lidhje me krimet e luftës, duke përfshirë ndalimin arbitrar (pika 1 e aktakuzës), torturën (pika 3 e aktakuzës) dhe vrasjen e paligjshme (pika 4 e aktakuzës).

Apeli i Mustafës përfshinte në total nëntë pika të ndara në 51 nënpika.

Paneli i Apelit hodhi poshtë tetë nga këto pika të paraqitura nga Mustafa që kundërshtonin vendimin e trupit gjykues. Apeli, gabimin e vetëm që gjeti ishte tek lartësia e dënimit e shqiptimit të vendimit e cila nuk ishte në përputhje me dënimet që janë marrë në Kosovë.

Megjithatë, ata miratuan pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit me 26 vjet burgim nga trupi gjykues për tri pikat e aktakuzës për të cilat ishte shpallur fajtor.

Edhe pse ishin plotësisht të vetëdijshëm për diskrecionin e gjerë të trupit gjykues në dhënien e dënimit, paneli i Apelit konstatoi se dënimet e dhëna ishin më të shkurtra se dënimi i Mustafës nga trupi gjykues në çështjet e ngjashme të krimeve lufte.

Rrjedhimisht, paneli i Apelit zvogëloi dënimet individuale të dhëna Mustafës për krimet e luftës, duke zvogëluar dënimin e përgjithshëm nga 26 në 22 vjet burgim, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.

Në shqiptimin e aktgjykimit, paneli i Gjykatës së Apelit theksoi se aktgjykimi është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat dhe llogaridhënies.

Ata gjithashtu theksuan se zvogëlimi i dënimit të Salih Mustafës nuk sugjeron se krimet për të cilat ai është shpallur fajtor dhe dënuar nuk janë të rënda.

Paneli i Apelit përmendi se Mustafa nuk ka apeluar urdhërin për zhdëmtim në lidhje me tetë viktimat, të cilat u akorduan dëmshpërblime nga trupi gjykues, dhe vendimi i këtij paneli nuk ndikon në këtë urdhër për zhdëmtim.

Në një pikë tjetër, paneli i Apelit theksoi se verdikti i fajësisë ndaj Mustafës, i cili e vuri atë në përgjegjësi penale individuale për krimet e luftës, përfshirë torturën, ndalimin arbitrar dhe vrasjen e paligjshme, nuk përfshinte as UÇK-në, as popullin e Kosovës, duke theksuar se ata nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbrojtur dënimin prej 26 vjetësh, duke e vlerësuar si proporcional dhe të drejtë. Në anën tjetër, mbrojtja e tij,  Julius Von Bone, në dosjen e publikuar ka shprehur kundërshtime,  duke argumentuar se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Salih Mustafa ka qenë komandant i njësisë guerile BIA, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit të UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit  dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Në lidhje me këto akuza Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërkaq, ky rast përfshin 8 viktima pjesëmarrëse.

Gjykimi nisi më 15 shtator 2021 dhe u mbyll më 4 shkurt 2022. Pas paraqitjes së provave, çështja u dorëzua në korrik të vitit 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, ku Mustafën u shpall fajtor dhe dënuar me 26 vjet burg.

Vendimi për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023, duke urdhëruar Mustafën të paguajë një shumë prej 207.000 eurosh si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat ai është shpallur fajtor.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.