Supremja e lë në fuqi dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën

Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i njohur me nofkën Komandant Cali.

Dënimi me 15 vjet burgim për Calin ishte vendosur nga Gjykata e Apelit. Ai është dënuar për “krime lufte”.

Fillimisht “Cali” ishte dënuar me 22 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara, por më pas Apeli e kishte zbritur dënimin në 15 vjet dënim me burgim.

Me këtë Vendim nuk ishte pajtuar mbrojtja e Salih Mustafës, e cila kishte kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme në Hagë. Kërkesë të ngjashme kishte edhe nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

“Më 25 shkurt 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova (kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë Kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që parashtruan Mustafa dhe ZPS-ja. Këto Kërkesa u dorëzuan në lidhje me Vendimin e Gjykatës së Apelit, më 10 shtator të vitit të kaluar, në të cilin u shqiptua dënimi i ri për Mustafën. Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me Kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me Vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz, i cili kërkohet që një Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses.” – thuhet në njoftim në uebfaqen e Dhomave të Specializuara.

Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë, më 16.12.2022, me 26 vjet dënim me burgim për “krime lufte”, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim. Por, që Supremja Vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.

Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 – duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Sipas Aktakuzës, Salih Mustafa ishte Komandant i Njësitit gueril – BIA, i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12.06.2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28.09.2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Sipas Speciales, në këtë çështje janë tetë viktima pjesëmarrëse.

Në korrik të 2024-ës, Gjykata Speciale e ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim për “krime lufte”.

Nën akuzat për “krime lufte”, në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor edhe ndaj të akuzuarve: ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veselit, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Rexhep Selimit dhe ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqit.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në vitet 1998-2000.