VIDEO - Përparim Rama e publikon projektin, kështu pritet të duket ‘Rruga A’

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar projektin e rrugës “Xhim Xhema”, e njohur si “Rruga A”, duke thënë se rruga mund të vonohet por do të realizohet.

Në videon e publikuar nga Rama, shihet plani se si pritet të duket kjo rrugë.

Ky postim ka ardhur pasi Gjykata Komerciale të premtën, 20 tetor, pezulloi punimet për këtë rrugë në kryeqytet.

“Rruga “Jim Xhema” apo “A” është ndër projektet më të rëndësishme për Kryeqytetin.Në videon më poshtë mund të shihni trasenë e rrugës dhe të kuptoni rëndësinë e veçantinë e kësaj rruge 6 kilometra, e cila do të lidhë lagjet “Kalabria” dhe “Mati” me Prishtinën e Re, duke reduktuar kështu në masë të madhe kolonat, eliminuar në tërësi kundërmimin e ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” dhe rritur zhvillimin ekonomik në Kryeqytet. Andaj kjo rrugë do të bëhet, mund të vonohet, por do të realizohet për të mirën e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Prishtinës por të gjithë vendit” – ka shkruar kryetari Rama në rrjetin social “Facebook”.

Pas pezullimit të punimeve në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në Prishtinë, është thirrur një protestë për të enjten në orën 12:00.

Ky njoftim është bërë në faqen “Lagjja Kalabria” në Facebook.

Protesta thuhet se do të mbahet në rrugën “Ali Vitia” në lagjen Kalabria.

“Njoftoheni se të enjten më dt. 26.10.2023 do të organizohet protesta paqësore lidhur me pezullimin e projektit në “Rruga A”(Jim Xhema), e cila lidhet me kolektorin në lagjen Kalabria, përkatësisht në rrugën Ali Vitia (tek Viva Fresh)” – thuhet në njoftim.

Qëllimi i protestës, sipas njoftimit është shprehja e qëndrimit paqësor lidhur me pezullimin e punëve në Rrugën A dhe të planit rregullativ për lagjen.

Pezullimi i punëve është bërë me vendim të Gjykatës Komerciale.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka hedhur akuza ndaj gjyqtares së rastit, Vlora Pacolli, që sipas tij është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

Rama ka thënë se vendimi është i bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat, sipas tij, “me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.

Gjykata Komerciale përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për deklarimet e zyrtarëve shtetërorë lidhur këtë vendim dhe ka thënë se është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore duke mos paragjykuar ato.

Kompania e kontraktuar për kryerjen e punëve në rrugën “Jim Xhema”, “Sallahu Shpk” me pronar Lulzim Sallahun, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Nga faktet e prezantuara, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, pasi që në Arsyetimin e Aktvendimit shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, i  ka falur besimin provave dhe të dhënave të pa vërteta – të rrejshme, dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente”- thuhet në reagim.