rruga A
Gjykata Komerciale merr vendim për të pezulluar punimet në “Rrugën A”
Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim për të pezulluar punimet në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në Prishtinë.
Kështu kanë konfirmuar nga Gjykata për KALLXO.com.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ky vendim ka atakuar interesin publik.
“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema)”- ka shkruar Rama në Facebook.
Kryetari ka hedhur akuza ndaj gjyqtares Vlora Pacolli, që sipas tij është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.
Rama shprehet se vendimi është i bazuar në në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat, sipas tij, “me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.
“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli”- ka theksuar Rama.
“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”- shton ai.
Kreu i Prishtinës ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik që të ankohet ndaj këtij vendimi.
“Kërkojmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi që cenon interesin publik. Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në kuadër të kompetencave që ka, të sigurohet që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”- ka thënë mes tjerash Rama.
Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti.
Rama pati thënë se ky projekt madhor infrastrukturor për kryeqytetin do e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë, dhe se kështu i jep fund kundërmimeve nga kanalizimi i hapur.
Për këtë projekt është paralajmëruar të ketë 6 korsi gjithsej, prej të cilave të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me “Rrugën B”.
Rama tregon se kur pritet të përfundojë pjesa e parë e punimeve e rrugës A