Pezullimi i punimeve në 'Rrugën A', banorët e Lagjes 'Kalabria' nesër në protestë

Pas pezullimit të punimeve në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në Prishtinë, është thirrur një protestë për të enjten në orën 12:00.

Ky njoftim është bërë në faqen “Lagjja Kalabria” në Facebook.

Protesta thuhet se do të mbahet në rrugën “Ali Vitia” në lagjen Kalabria.

“Njoftoheni se të enjten më dt. 26.10.2023 do të organizohet protesta paqësore lidhur me pezullimin e projektit në “Rruga A”(Jim Xhema), e cila lidhet me kolektorin në lagjen Kalabria, përkatësisht në rrugën Ali Vitia (tek Viva Fresh)” – thuhet në njoftim.

Qëllimi i protestës, sipas njoftimit është shprehja e qëndrimit paqësor lidhur me pezullimin e punëve në Rrugën A dhe të planit rregullativ për lagjen.

Pezullimi i punëve është bërë me vendim të Gjykatës Komerciale.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka hedhur akuza ndaj gjyqtares së rastit, Vlora Pacolli, që sipas tij është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

Rama ka thënë se vendimi është i bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat, sipas tij, “me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.

Gjykata Komerciale përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për deklarimet e zyrtarëve shtetërorë lidhur këtë vendim dhe ka thënë se është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore duke mos paragjykuar ato.

Kompania e kontraktuar për kryerjen e punëve në rrugën “Jim Xhema”, “Sallahu Shpk” me pronar Lulzim Sallahun, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Nga faktet e prezantuara, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, pasi që në Arsyetimin e Aktvendimit shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, i  ka falur besimin provave dhe të dhënave të pa vërteta – të rrejshme, dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente”- thuhet në reagim.

Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti.

Rama pati thënë se ky projekt madhor infrastrukturor për kryeqytetin do e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë, dhe se kështu i jep fund kundërmimeve nga kanalizimi i hapur.

Për këtë projekt është paralajmëruar të ketë 6 korsi gjithsej, prej të cilave të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me “Rrugën B”.