“Art-Tek Tulltorja”. Foto: MIT Department of Architecture/Facebook

“Art-Tek Tulltorja” në Prishtinë, detaje nga konkursi ndërkombëtar i fituar nga Rafi Segal dhe ekipi i tij

Universiteti MIT (Massachusetts Institute of Technology), përmes një njoftimi të publikuar në ueb dhe në rrjete sociale ka njoftuar se profesori Rafi Segal bashkë me ekipin e tij janë fitues të konkursit ndërkombëtar për transformimin e ish-fabrikës së tullave në Prishtinë në një pikë kulturore si dhe qendër për kreativitetit dhe inovacion.

Ekipi fitues i projektimit pretendon të vendosë një standard të ri në Kosovë duke bërë që ish-fabrika e tullave në Prishtinë të shndërrohet në një vend të trashëgimisë industriale.

Siç është njoftuar nga MIT, fitues i “Art-Tek Tulltorja” është firma “Rafi Segal A+U” në bashkëpunim me firmën e dizajnit me bazë në Belgjikë “ORG Permanent Modernity”, “OUD+Architects” dhe artisten Marisa Jahn.

Në njoftimin e Departamentit për Arkitekturë të këtij universiteti  thuhet se sipas Segal-it, “arkitektura, arti, peizazhi, hapësira publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë integruar plotësisht në këtë projekt për të transformuar ish fabrikën e tullave në një destinacion të ri urban të përqendruar rreth artit dhe teknologjisë”.

Segal drejton programin “SArchS Urbanism” në MIT duke u angazhuar në dizajn dhe kërkime si në shkallën arkitekturore ashtu edhe në atë urbane.

“Art-Tek Tulltorja”. Foto: MIT Department of Architecture/Facebook

Më 29.03.2024 ishte prezantuar projekti i transformimit të tulltores. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishte shprehur i lumtur për këtë projekt.

“Do t’i japë shpirt të ri kryeqytetit, duke e rivitalizuar të gjithë zonën e Kodrës së Trimave” – kishte deklaruar kryetari Rama.

Kreu i Prishtinës ka shpërndarë edhe njoftimin e MIT.

“Projekti i Tulltores prezantohet në revista ndërkombëtare
Projekti fitues i Tulltores së Kryeqytetit është prezantuar në ballore të gazetës së universitetit prestigjioz MIT (Massachusetts Institute of Technology)”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook.