'Sallahu' del me reagim pas pezullimit të punimeve në 'Rrugën A' në Prishtinë

Kompania kontraktuese për punimet në ‘Rrugën A’, ‘Sallahu SH.P.K’ ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Komerciale për pezullimin e punimeve në këtë rrugë.

Në reagim thuhet se Operatori Ekonomik “Sallahu Shpk” me pronar Lulzim Sallahu, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Nga faktet e prezantuara, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, pasi që në Arsyetimin e Aktvendimit shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, i  ka falur besimin provave dhe të dhënave të pa vërteta – të rrejshme, dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente”- thuhet në reagim.

Sallahu Sh.P.K thotë se këto veprime e dëmtojnë rëndë besimin në funskionim të ligjit dhe kredibilitetin e sistemit gjyqësor si institucion i pavarur, profesional dhe i pa anshëm.

Kompania thekson se procedura e këtij aktiviteti të prokurimit, që nga inicimi e deri në përfundimin e saj, “është zhvilluar në përputhje me parimet dhe dispozitat ligjore që i referohen Prokurimit Publik ne Kosovë, dhe se tenderi në fjalë i është nënshtruar dy komisioneve profesionale vlerësuese në të cilat kemi dalë si OE i përgjegjshëm, dhe mbi bazën e përgjegjshmërisë edhe jemi rekomanduar me Kontratë”.

“Prandaj, konsiderojmë se grupet e interesit, në pamundësi që të i realizojnë qëllimet e tyre, në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të pa përgjegjshme dhe propaganduese në forma dhe mënyra të ndryshme, pikërisht lidhur me Aktendimin e publikuar të dt 17.10.2023, ku si palë me interes para disa dite ju kemi drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Komerciale që të sigurojnë pavarësinë,mosdiskriminimin, profesionalizimin dhe paanshmerinë në shqyrtimin e këtij rasti, e po ashtu edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të inicojë hetime, ku për shkak të implikimeve ndryshme, ka dyshime për elemente të veprës penale”- thekson kompania.

Më tej, Sallahu Sh.P.K. njofton se do të kërkojë nga Gjykata Komerciale që ta përfshijë në procedurë si palë me interes duke i mundësuar kompanisë, qasje dhe prezantim të provave gjatë trajtimit të çështjes nga Dhoma e Shkallës së Dytë.

“Duke qenë se në këtë Aktvendim janë evidentuar gabimisht faktet, do të kërkojmë nga Gjykata Komerciale e Kosovës të na përfshijë në këtë procedurë si palë me interes duke na mundësuar qasje dhe prezantim të provave gjatë trajtimit të çështjes nga Dhoma e Shkallës së Dytë”- përfundon kompania në reagim.

Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim për të pezulluar punimet në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në Prishtinë.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ky vendim ka atakuar interesin publik.

Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti.

Për këtë projekt është paralajmëruar të ketë 6 korsi gjithsej, prej të cilave të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me “Rrugën B”.

Gjykata Komerciale merr vendim për të pezulluar punimet në “Rrugën A”