VIDEO - Gjashtë ditë pas hapjes u sulmua objekti i Postës së Kosovës në Zveçan

Gjashtë ditë pas hapjes, më 01.04.2025, objekti i Postës së Kosovës në Zveçan u sulmua me granata dore.

Policia e Kosovës konfirmoi për KALLXO.com se njëra granatë ka shpërthyer në vendin e ngjarjes, kurse një tjetër ka shpërthyer në mënyrë të kontrolluar nga Njësitet e deminimit të Policisë së Kosovës.

Përveç dëmeve materiale nuk u raportua për persona të lënduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani tha se për shpërthimin Policia është informuar nga qytetarët dhe menjëherë Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Atë çka mundemi me e konfirmu është se 30 minuta pas mesnatës ka ndodhur një shpërthim, për të cilin jemi informuar nga qytetarët se në afërsi të Postës ka ndodhur një shpërthim. Kemi shku aty. E kemi pa që një granatë ka shpërthyer, ndërsa tjetra është shpërthyer nga Njësiti i deminimit. Nuk ka të lënduar, ka veç dëme materiale dhe Policia po kryen hetimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.”

KALLXO.com sjell video-materialin nga vendi i ngjarjes.

Elshani tha se në këto momente nuk mund të flas për ndonjë person të dyshuar për sulmin me granatë dore në objektin e Postës së Kosovës.

“Nuk mundemi me thanë diçka për grupin, për njerëzit që kanë sulmuar me granatë dore. Kjo i takon procedurës hetimore për çka në këto momente nuk mund të flasim.” – tha Elshani.

Në një periudhë gjashtëmujore kjo nuk është hera e parë që ka pasur sulme me granatë dore në këtë Komunë veriore.

Në nëntor të vitit të kaluar me granatë dore të tipit M-75 ishin sulmuar edhe objekti i Policisë dhe objekti i Komunës së  Zveçanit.

I pyetur nëse këto sulme kanë lidhshmëri mes vete zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani nuk e përjashtoi si mundësi.

“Në asnjë moment Policia nuk e përjashtojn asnjë pistë të hetimeve. Domethënë çdo gjë që juve ju shkon në mendje, na shkon edhe neve.” – theksoi Veton Elshani nga Policia e Kosovës.

Sulmin e ka dënuar edhe Komuna e Zveçanit. Madje, kryetari i kësaj Komune Ilir Peci e quajti sulm terrorist.

“Tashmë këto sulme janë të zakonshme për ne këtu. Ne e dënojmë ashpër këtë sulm terrorist dhe mendojmë se qëllimi është frikësimi i qytetarëve. Por, unë e kam një kërkesë për qytetarët e Zveçanit: që të mos të ndihen në panik. Policia e Kosovës menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjithçka për momentin është qetë. Sipas disa informatave, është grupi i njëjtë, sepse nuk është hera e parë që kemi pasur këso shpërthime në Komunën tonë.” – tha Ilir Peci.

Sulmin me granata dore në objektin e Postës së Kosovës, e cila u hap më 27 mars 2025, e ka dënuar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, ky sulm “me elemente terroriste” është tentim për të cenuar sigurinë dhe integrimin në Sistemin ligjor të Kosovës.

Kurse, akt kriminal me elemente terroriste e ka cilësuar Qeveria e Kosovës sulmin ndaj objektit të Postës së Kosovës, me granata dore, që ndodhi më 01.04.2025.

Duke e dënuar ashpër sulmin, përmes një komunikate për media Qeveria e Kosovës tha se “siguron qytetarët se sulmet kriminale nuk do të mund të zmbrapsin institucionet e Republikës së Kosovës për të ofruar siguri, ligjshmëri dhe shërbime për qytetarët në tërë territorin e Republikës.”

“Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet e rendit dhe të Drejtësisë, që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe personat përgjegjës të vihen para Drejtësisë, si dhe siguron qytetarët se sulmet kriminale nuk do të mund të zmbrapsin institucionet e Republikës së Kosovës për të ofruar siguri, ligjshmëri dhe shërbime për qytetarët në tërë territorin e Republikës.” – thuhet mes të tjerash në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Tutje, Qeveria njoftoi se Posta e Kosovës ka filluar punën për sanimin e dëmit të shkaktuar, me qëllim të rihapjes së kësaj Zyre gjatë ditës. Kurse, sipas Qeverisë, qytetarët mund t’i kryejnë shërbimet në Zyrën e Postës Zveçan-1, që ndodhet në kuadër të objektit të Komunës.

Më parë në këtë objekt ndodhej Dega e Postës së Serbisë, që u mbyll në maj 2024.