
Sulmohet me granatë dore ndërtesa e Komunës së Zveçanit
Një granatë dore e llojit M-75 është hedhur në ndërtesën e Komunës së Zveçanit, më 29.11.2024, pas mesnatës. Si pasojë janë shkaktuar dëme në objektin e Komunës dhe në katër vetura që kanë qenë të parkuara në afërsi të objektit.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
“Mbrëmë para mesnatës ka pas një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zvecanit e poashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër”- tha Elshani.
Përveç dëmeve materiale, sipas tij, nuk ka të lënduar e as të dyshimtë për këtë rast.
“Nuk ka të lënduar apo të dyshimtë, ndërsa Policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit. Policia mbetet e përkushtuar që të vazhdoj të ofroj shërbimet ndaj qytetarëve të veriut të vendit”- deklaroi Elshani.
KALLXO.com ka raportuar edhe më herët se persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e Stacionit Policor në Zveçan, më 26.11.2024, rreth orës 23:55.
Stacioni policor në Zveçan sulmohet me granata dore