VIDEO - Dy të arrestuar për fajde në Prizren: Dyshohet se kërkuan nga viktima shtëpi e lokale në vlerë rreth 1 milion euro
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë njoftuar se kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Fajde”.
Përmes një komunikate të përbashkët për media, Policia dhe Prokuroria kanë thënë se dy personat e arrestuar, dyshohen se kanë detyruar një person tjetër – viktimë të fajdes, që të paguaj shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes presionit, kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e të cilave është rreth 1 milion euro.
“Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes se tyre për ta detyruar viktimën në rregullimin e dokumentacionit për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve pronë e viktimës. Me urdhëresë nga gjykata është kontrolluar vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç ’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj te dyshuarve” – thuhet në njoftim.
Të dyshuarit me inicialet E.K., dhe A.K. Prokuroria ua ka caktuar masën e ndalimit.
Pamje nga momenti i arrestimeve: