Vdekja e gruas në Graçanicë, rasti rikualifikohet nga dhunë në familje në vrasje të rëndë
Një grua nga Graçanica ka vdekur të premten më 02.08.2024, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Viktima ishte duke u trajtuar tash e dytë ditë aty, për lëndimet që dyshohet se i mori nga sulmi fizik që dyshohet se ia shkaktoi bashkëshorti.
Rasti në fillim ishte iniciuar si “Dhunë në familje” e “Lëndim i rëndë truporë”, mirëpo pas vdekjes së viktimës kjo ngjarje është ri-kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Kjo është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media.
Prokuroria tha se më 31.07.2024 ishin njoftuar nga policia për një rast të dhunës në familje në Graçanicë.
Për këtë rast Prokuroria kishte lëshuar aktvendim mbi ndalim për të dyshuarin, në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Në kohën kur i njëjti ka qenë nën këtë masë, e ndjera (viktima) ka ndërruar jetë, andaj rasti është deleguar për trajtim në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj Prokurorie, si dhe është ri-kualifikuar Vrasje e rëndë” – tha Prokuroria.
Po ashtu është njoftuar se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, gjithashtu ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente.
Tutje u tha se në koordinim të plotë me Policinë dhe njësitë relevante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore karshi këtij rasti.
Lajmi për KALLXO.com për vdekjen e viktimës ishte konfirmuar nga drejtori i Emergjencës, Naser Syla, i cili ka thënë se viktima nuk ka mundur t’u bëjë ballë lëndimeve të rënda.
“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda, dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë” – tha Syla.
Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka konfirmuar për KALLXO.com se gruaja e cila dyshohet se u sulmua fizikisht më 31.07.2024 është viktima e cila vdiq sot në QKUK.
Policia e Kosovës kishte njoftuar më 31.07.2024 se kishin arrestuar një të dyshuar në Graçanicë nën dyshimin se kishte kryer dhunë në familje.
Policia kishte thënë se burri në gjendje të dehur, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Në raportin policor ishte thënë se viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje.
Lidhur me rastin, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe është në pritje të përgjigjeve.
Një grua nga Graçanica vdes në QKUK pas plagëve që dyshohet se ia shkaktoi burri i saj