Një grua nga Graçanica vdes në QKUK pas plagëve që dyshohet se ia shkaktoi burri i saj

Një grua nga Graçanica ka vdekur të premten më 02.08.2024, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Viktima ishte duke u trajtuar tash e dytë ditë aty, për lëndimet që dyshohet se i mori nga sulmi fizik që dyshohet se ia shkaktoi bashkëshorti.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga drejtori i Emergjencës, Naser Syla, cili ka thënë se viktima nuk ka mundur t’u bëjë ballë lëndimeve të rënda.

“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda, dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë” – tha Syla.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka konfirmuar për KALLXO.com se gruaja e cila dyshohet se u sulmua fizikisht më 31.07.2024 është viktima e cila vdiq sot në QKUK.

Policia e Kosovës kishte njoftuar më 31.07.2024 se kishin arrestuar një të dyshuar në Graçanicë nën dyshimin se kishte kryer dhunë në familje.

Policia kishte thënë se burri në gjendje të dehur, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Në raportin policor ishte thënë se viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe është në pritje të përgjigjeve.