Tubacioni i naftës Druzhba pritet të rifurnizojë Europën, duke zhbllokuar potencialisht huan e BE-së për Ukrainën
Hungaria dhe Sllovakia presin që furnizimet me naftën ruse të rifillojnë përmes një tubacioni përmes Ukrainës pas ndalesës që zgjati disa muaj, gjë që mund të zhbllokojë kredinë e BE-së prej 90 miliardë eurosh që i nevojitet urgjentisht Kievit, ka raportuar të mërkurën (22.04.2026) agjencia e lajmeve, Reuters.
Tubacioni Druzhba është kthyer në njërën prej pjesëve më të ngarkuara politikisht të infrastrukturës në Europë qëkur një sulm me dron rus dëmtoi tubacionin në Ukrainën perëndimore dhe ndaloi furnizimet me naftën ruse për Hungarinë dhe Sllovakinë.
Kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, dhe qeveria sllovake e kishin akuzuar Ukrainën për vonimin e riparimeve, të cilat Kievi i ka hedhur poshtë.
Se kur saktësisht mund të ndahet kredia për Ukrainën varet kryesisht nga Hungaria dhe Sllovakia dhe nëse ato do të duan që qarkullimi i naftës të mbërrijë së pari në vendet e tyre.
Gati për rikthimin e qarkullimit
Ministrja sllovake e Ekonomisë, Denisa Sakova, ka deklaruar të mërkurën se furnizimet me naftë bruto përmes tubacionit Druzhba nga Ukraina në Sllovaki pritet të rifillojnë të enjten në mëngjes.
Ajo ka shkruar në Facebook se Ukraina i ka thënë Sllovakisë se puna ka filluar në Bjellorusi për të rritur presionin në tubacion, siç kërkohet për të lejuar që nafta, e cila është ndaluar që nga fundi i janarit, të rrjedhë përsëri.
Ndërkohë, grupi hungarez i naftës MOL ka njoftuar se Ukraina e ka informuar se furnizimet me naftë bruto ruse do të rifillojnë përmes tubacionit Druzhba. “Sipas njoftimit, JSC Ukrtransnafta është gati të rifillojë tranzitin e naftës bruto në Hungari dhe Sllovaki”, thuhet në deklaratën e MOL-it.
Një burim nga industria i ka thënë Reutersit të martën se Ukraina do të rifillojë pompimin e naftës përmes tubacionit Druzhba të mërkurën, pasi presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se riparimet ishin përfunduar dhe i kërkoi BE-së të aprovojë kredinë prej 90 miliardë eurosh.
Bisedimet për huan për Ukrainën
Me perspektivën e rikthimit të qarkullimit të naftës, ambasadorët e vendeve të BE-së në Bruksel do të rifillojnë diskutimet për miratimin përfundimtar për kredinë që Budapesti e kundërshtoi në pritje të rifillimit të eksporteve të naftës.
Hungaria si shtet anëtar i Bashkimit Europian ka fuqinë për të bllokuar kredinë edhe pse nuk po kontribuon në të. Ajo do të mbulojë dy të tretat e nevojave të financimit të Ukrainës në 2026 dhe 2027, ndërsa mundohet të mbrohet nga pushtimi rus.
Kapaciteti i Druzhbës, që në rusisht do të thotë miqësi, është 1.2 milion deri në 1.4 milion fuçi në ditë, me mundësinë për t’u rritur deri në 2 milion fuçi në ditë. Megjithatë, flukset u reduktuan në hise të vogël si rezultat i sanksioneve perëndimore, si dhe ndërprerjeve të përsëritura nga sulmet me dronë.
Fituesi i zgjedhjeve hungareze, Peter Magyar, i ka bërë thirrje Zelenskyt të hënën që të rihapë tubacionin e dëmtuar sapo të jetë funksional dhe që Rusia të rifillojë dërgesat.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha konfirmimet dhe angazhimet tona. Ne kemi bërë gjithçka… dhe infrastruktura është riparuar”, ka deklaruar ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha. “Tani duhet të ecim përpara së bashku në mënyrë që Ukraina të mund të marrë kredinë”.
Andaj, Gjermania është informuar se asnjë naftë bruto kazake nuk do të arrijë në rafinerinë e saj PCK Schwedt nga maji, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë. Burime nga industria kanë thënë të martën se Rusia është e gatshme të ndalojë eksportet e naftës nga Kazakistani nëpërmjet tubacionit Druzhba, duke nisur nga 1 maji, gjë që do të godiste drejtpërdrejt PCK-në, një nga rafineritë më të mëdha të Gjermanisë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com