Thaçi ndan urdhrin 'Hero i Kosovës' për policin e vrarë Sami Thaqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin ‘Hero i Kosovës’ për policin e rënë mbrëmë gjatë një aksioni, Sami Thaqi.

“Polici i rënë në krye të detyrës, Sami Thaqi, është heroi më i ri i Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, sot për policin Sami Thaqi ndava urdhrin “Hero i Kosovës”, ka shkruar presidenti në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka shkruar se heroizmi i policëve të rënë në detyrë është krenari e Kosovës.

“Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, përfundon Thaçi.

Një natë më parë, në fshatin Zhur të Prizrenit, është vrarë zyrtari policor Sami Thaqi, si dhe  dy pjesëtarë të tjerë të policisë dhe një fëmijë kanë mbetur të lënduar nga incidenti gjatë bastisjes së një shtëpie.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e Sami Thaqit dhe nga 10 mijë për dy të lënduarit.

Njëri polic i plagosur në Zhur, në gjendje të rëndë