Sveçla: Emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e INTERPOL-it

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e urdhër-arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

Ministri Sveçla ka thënë se e ka mirëpritur këtë veprim nga selia qendrore e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook më 16.02.2024.

Sipas tij, llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të datës 24.09.2023, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku është e domosdoshme. 

“Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste” – ka theksuar ai.

Mëngjesin e datës 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur po ashtu të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletëarrestim për Radoiçiq. 

Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Autoritet në Kosovë pretendojnë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Europian ashtu edhe nga SHBA-ja, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.