Foto: Zyra e Presidencës së Kosovës

Vrasja e grave, presidentja ka takuar ministrat Sveçla e Haxhiu dhe drejtorin e Policisë

Vrasja e dy grave brenda pesë ditësh në Kosovë ka shtyrë presidenten Vjosa Osmani të zhvillojë një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është diskutuar nevoja e rritjes së ndëshkimeve dhe ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal.

“Në takim, Presidentja Osmani shprehu shqetësimin e thellë në lidhje me  trendin alarmues të vrasjes së grave dhe nevojën urgjente që të fuqizohen të gjitha hallkat brenda institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë detyrim kushtetues që ta mbrojnë jetën e qytetarëve tanë” – thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani, sipas këtij njoftimi, do të zhvillojë takime me institucionet e tjera relevante edhe në ditët e ardhshme, për të kërkuar rritjen e masave parandaluese, reaguese dhe ndëshkuese në raport me kryesit e këtyre veprave.

Gjyljeta Ukella u vra sot, më 16.04.2024, në Pejë. I dyshuari për vrasjen e saj është burri i viktimës, Edmond Lajqi.

Erona Cokli u vra më 12.04.2024 në Ferizaj. Për këtë vrasje dyshohet ish-bashkëshorti, Valon Aliu.

Dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia.

Këto vrasje kanë nxitur reagime në publik.

Presidentja Osmani ka marrë vendim që dita e nesërme, 17.04.2024, të shpallet ditë zie në Kosovë, në kujtim të të gjitha grave e vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore.

Shoqëria civile ka kërkuar që parandalimi i vrasjes së grave të shihet si urgjencë kombëtare dhe që institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë t’i trajtojnë rastet e dhunës në familje me seriozitet.