Jovanoviq, Foto: KALLXO.com
Dëshmi që vërtetojnë se sulmuesit ndaj KFOR-it në Zveçan ishin edhe pjesë e grupit terrorist në Banjskë
Në ditën kur kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e prillit u vendosën në ndërtesat komunale në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, serbë lokalë të tri prej këtyre qyteteve ishin mbledhur për të protestuar kundër marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj.
Këto protesta u shndërruan në të dhunshme, pasi grupe huliganësh sulmuan policët e Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe mediat.
Protestat, që nisën më 26 maj, u radikalizuan më 29 maj, sidomos në Zveçan, dhe shënjestër e gurëve, e gjësendeve të tjera të forta e madje edhe e plumbave ishin ushtarët e KFOR-it që ruanin ndërtesën e Komunës.
Dhjetëra ushtarë të KFOR-it ishin plagosur e lënduar. Madje, njërit, për shkak të lëndimeve i ishte amputuar këmba.
Një raporti i Ministrisë së Jashtme të Kosovës për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë ka përfshirë prova të personave që dyshohet se i përkisnin grupit.
Në mesin e tyre është edhe një person që kishte qenë shumë aktiv në protestën e dhunshme të 29 majit.
Stefan Jovanoviq ishte identifikuar si person që u fotografua më 29 maj 2023 në Zveçan deri sa po sulmoheshin ushtarakët e KFOR-it nga banda e Millun Milenkoviqit.
Ky i fundit në po të njëjtin dokument identifikohet si drejtues i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe zëvendëskomandant i organizatës tjetër të shpallur në Kosovë si terroriste “Brigada e Veriut”.
Për Jovanoviqin, MPJ ka thënë edhe se i njëjti pretendohet se ishte pjesë e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Dokumenti që identifikonte Jovanoviqin – një letërnjoftim i Serbisë, ishte gjetur në Banjskë në ditën kur ishte kryer agresioni atje.
KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi se si në grupin terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit ishte edhe ish- shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri, Uglesha Jarediq.
Dosja: Ish-shefi i Specialëve të Policisë së Kosovës për veriun i përfshirë në grupin e Banjskës
Grupi terrorist dyshohet se u nis nga Novi Pazari për në Banjskë pasditen e 23 shtatorit
www.kallxo.com