Instituti D4D: Narrativat serbe mbeten të njëjta pas sulmit të 24-shtatorit

Instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D) ka lansuar raportin e radhës të monitorimit të çrregullimit të informacioneve në mediat online dhe ato sociale.

Në tryezën e diskutimit të mbajtur për lansimin e këtij raport, drejtoresha e këtij instituti, Rrezarta Delibashzade – Krasniqi, tha se fushat kryesore të cilat i kanë përfshirë për hulumtim janë dialogu Kosovë- Serbi, pjesën e grave në politikë dhe pjesën e gazetarëve për gjuhë të urrejtjes në portale.

Sa i përket narrativave serbe, udhëheqësja e institutit tha se ato vazhdojnë të jenë të njëjtat që pas sulmit në Banjskë më 24.09.2024.

“Sidomos pas sulmit të 24 shtatorit, narrativat (serbe) janë të njëjta, që po bëhet pastrim etnik, regjimi i Kurtit po i terrorizon serbët në Kosovë, këto pra janë raste që hasen më shumë në këta tre muaj” – deklaroi Delibashzade – Krasniqi më 29.04.2024.

Në sulmin terrorist të 24.09.2023 në Banjskë, ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, një polic ka mbetur i plagosur dhe një tjetër i lënduar. Derisa nga grupi terrorist, sipas të dhënave zyrtare, tre persona kanë mbetur të vrarë. Për këtë sulm e ka marrë përsipër përgjegjësinë ish-kryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Sipas menaxheres së këtij projekti, Venera Gashi, gjatë tre muajve të parë të këtij vitit, shqetësuese dhe alarmante për lexuesin mbeten lajmet e rreme dhe teoritë konspirative.

Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të vitit 2024, D4D ka monitoruar 110 media online, artikuj  prej të cilave janë përdorur për analizimin e lajmeve.

Sipas D4D-së, gjetjet kryesore gjatë monitorimit të mediave online dhe atyre sociale për muajin janar janë: rishfaqja e lajmeve të vjetra si clickbait, mungesa e burimeve dhe informacioneve të besueshme, elementet spekulative, pra titujt që përdorin gjuhë me elemente spekulative në lidhje me konflikte të mundshme në Kosovë, përdorimi selektiv i fakteve dhe citimeve dhe artikuj të paverifikuar.

Edhe ndikimi i fesë te mediat përmes artikujve të njëanshëm ka qenë dominues në gjetjet e D4D-së  për monitorimin e çregullimeve të informacionit.

Lidhur me këtë, sipas hulumtimit të këtij instituti, në artikujt e përfshirë në këtë raport, vërehet përkrahja e bindjeve të deputetes Duda Balje, duke e quajtur shoqërinë civile si të pamorashme për shkak se kërkuan shkarkimin e saj.

Në muajin shkurt po ashtu, sipas D4D-së, kanë qenë të pranishme në artikujt e analizuar edhe deklaratat e njëanshme politike që promovojnë besime personale në media.

Tutje, gjatë muajit mars, sipas këtij instituti, gjetjet kryesore lidhur me dezinformimin dhe çrregullimin e informacioneve, kryesisht kanë përmbajtur kontekste ç’orientuese, mospërputhje ndërmjet titujve dhe përmbajtjes, tituj sensacional, rreziku i keqinterpretimit dhe gjuhë përqarëse.

Sipas kryeredaktorit të televizionit T7, Arsim Lani, jo te gjitha mediat online kanë mungesë profesionalizmi, por urgjente sipas tij në këtë drejtim është edukimi medial.

“Mediat kryesore online e ruajnë nivelin e profesionalizmit dhe nuk ndikohen. Një rëndësi të madhe duhet ta ketë edukimi medial, është baza që të mos vijmë në lajme të rreme”- tha Lani.

Ndërkaq sipas panelistes tjetër, Fitore Rexhepi nga Radiotelevizioni i Kosovës,  tha se në mungesë të edukimit medial, pre e lajmeve të rreme mund të bien edhe gazetarët profesionistë, përveç audiencës.

“Gjuha e urrejtjes dhe lajmi i rremë e vendosë në lajthitje edhe gazetarin”- është shprehur Rexhepi.

Instituti D4D gjatë periudhës tremujore, janar, shkurt dhe mars 2024, ka monitoruar mbi 100 media vendore, të rajonit dhe ndërkombëtare, të selektuara në një platformë monitoruese, kurse monitorimi dhe analizimi i artikujve me çrregullim të informacionit është bërë paralelisht në dy mostra, në gjuhën shqipe dhe në atë serbe.