Ilustrim

Lehtësohen edhe më shumë procedurat e kalimit në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, Balla dhe Sveçla nënshkruajnë marrëveshjen

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshje për kalimin kufitar të qytetarëve në mes dy vendeve, për lehtësimin e procedurave dhe evitimin e kolonave.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, në një konferencë për media që e ka mbajtur bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ata kanë bërë të ditur se me Protokollin e ri, që zëvendëson të vjetrin mundësohet lëvizja me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Morinë.

“Po shkruajmë bashkërisht një faqe tjetër në këtë kapitull të ri të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy shteteve tona, nisur nga vullneti dhe angazhimi i përbashkët mes dy qeverive të vendeve tona, mes dy kryeministrave për të vijuar politikat për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës” – tha Balla.

Protokolli i ri, zëvendëson Protokollin ekzistues për zbatimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e kalimit kufitar Morinë-Kukës që ishte nënshkruar më 20.06.2022.

“Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri do të mundësohet lehtësimi i procedurave të kalimit, verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë-Kukës nga 1 maj deri më 30 shtator dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt, domethënë 9 muaj gjatë tërë vitit në ndryshim nga protokolli i vjetër që parashihte vetëm katër muaj, nga 1 qershor deri më 30 shtator” – theksoi ministri Balla.

Ministri Balla deklaroi se gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë kontrolle të pasaportave dhe letërnjoftimeve për shtetasit e dy vendeve.

Balla njoftoi tutje se lehtësimi i procedurave të kalimit kufitar edhe gjatë dimrit janë është bërë për t’i dhënë shtytje sezonit dimëror dhe për të përfituar nga bukuritë natyrore që ofron Kosova gjatë këtij sezoni.

Ndërkaq, edhe ministri i Punëve të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se me këtë marrëveshje lehtësohet lëvizja e shtetasve në kufi.

“Me këtë marrëveshje, qytetarët as mos ta dinë se ku ndodhen, thjesht ta dinë se janë të mirëseardhur qoftë në sezonin veror, qoftë në atë dimëror, qoftë në Kosovë apo Shqipëri, ashtu siç edhe unë po ndihem në këtë vend të bukur e historik” – tha Sveçla.

Sveçla deklaroi se mbetet që ekspertët e të dyja vendeve të identifikojnë të gjitha nevojat e qytetarëve dhe në komunikim me ta dërgojnë kërkesat.