Sveçla për Listën Serbe: Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar institucionet e sigurisë në lidhje mbarëvajtjen e procesit të votimit për largimin e kryetarëve që është mbajtur në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Sveçla tha se Kosova i ka dhënë mundësinë qytetarëve që të vendosin për kryetarët e komunave të tyre. Por sipas tij, Lista Serbe e sabotoi procesin.

“Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik” – ka shkruar Sveçla në Facebook më 21.04.2024.

Tutje ai ka thënë se KQZ edhe një herë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit dhe respektimin e së drejtës së qytetarëve për të vendosur të ardhmen e tyre.

“Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim” – ka shkruar në fund Sveçla.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka konsideruar farsë procesin e votimit në katër komunat veriore, me shumicë serbe, për largim ose jo të kryetarëve komunalë. Sipas saj, në votimin e mbajtur më 21.04.2024, është treguar “shkallë e lartë e unitetit të popullit serb”.

Lista Serbe ka bërë thirrje paraprakisht që procesi të bojkohet prej serbëve, me arsyetimin se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e ka bërë të pamundur suksesin e procesit.

Në orën 19:00 të datës 21.04.2024 janë mbyllur të gjitha vendvotimet sipas KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

“Pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar” – thuhet në njoftimin e KQZ-së në konferencën e mbajtur në ora 19:30 më 21.04.2024 pas mbylljes së vendvotimeve.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri i votave është si në vijim: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0% dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023. Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.