Nga zgjedhjet Foto: Atdhe Mulla

Si ta ndërroni qendrën e vendvotimit për zgjedhjet e 6 tetorit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote se ka filluar periudha për ndërrimin e qendrës së votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 tetor. Kjo periudhë ka filluar më 3 shtator dhe do të përmbyllet më 14 shtator 2019.

Gjatë kësaj periudhe, është e mundur të dini qendrën tuaj të votimit dhe si ta ndryshoni atë.

“Të gjithë qytetarët me të drejtë vote do të munden nga dita e sotme ta dijnë adresën e saktë të vendvotimit të tyre fare thjeshtë, përmes ueb faqes së KQZ-së”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. Këtu mund t’i gjeni detajet.

Mjafton që të shënoni vetëm numrin personal dhe pastaj do të dalë njoftimi me të dhënat tuaja dhe me adresën e saktë të vendvotimit. Vegza direkte.

Si ta ndryshoni qendrën e votimit brenda komunës?

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes aplikacionit online mundëson ndryshimin e qendrës së votimit (brenda të njëjtës komunë) duke plotësuar të dhënat e kërkuara. Pasi të dërgohet kërkesa ajo do të shqyrtohet nga shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet tutje në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këtu mund të klikoni për të parë detajet.

“Qendra e Votimit mund të ndërrohet edhe duke vizituar zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, në komunën në të cilën ju jeni votues, duke plotësuar formularin për ndërrim të Qendrës së Votimit”, njofton KQZ.

Në fund, KQZ ka njoftuar qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në komunën tjetër duhet ta informojnë QKRC-në (Qendrën Komunale të Regjistrimit Civil) për ndryshimin e adresës së tyre. Pas ripërtëritjes së adresës në Regjistrin Civil, ndryshimi i qendrës së votimit do të pasqyrohet edhe në listën e votuesve.