'Germin’ prezanton raportin për pengesat e diasporës për pjesëmarrje në zgjedhjet 2019

Organizata jo-qeveritare “Germin” ka mbajtur tryezën “Votimi nga jashtë vendit” në të cilën ka prezantuar raportin “Analiza e Votimit nga Jashtë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2019”.

Liza Gashi nga kjo organizatë duke prezantuar raportin, tha se ka probleme bazike në të dhënat e votuesve jashtë vendit.

“Pengesat në procesin e votimit jashtë vendit janë: Mungesa e dokumenteve të identifikimit, mungesa e njohurive për të drejtat zgjedhore dhe procedurat e komplikuara të aplikimit/votimit, afatet e shkurtra për aplikim/regjistrim dhe votim, trajtimit jo-serioz i votimit nga jashtë dhe çështjeve të lidhura me diasporën, mungesa e kampanjave informuese të vazhdueshme”, tha ajo gjatë prezantimit të gjeteve të raportit.

Germin ka dhënë 6 rekomandime me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve jashtë vendit në vendimmarrje.

“1. Votimi fizik në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, zgjatja e afatit për arritjen e zarfeve me fletëvotime, dërgimi i postës në Ambasada dhe Konsullata të Republikës, zhvillimi i një platforme elektronike për aplikim për regjistrim në ueb faqen e KQZ-së, regjistrimi i plotë i i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, votimi vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se ky institucion kishte hartuar një raport në gusht të 2018-ës i cili i ishte dërguar Kuvendit të Kosovës ku kërkohej mes tjerash plotësim-ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, për të mënjanuar pengesat me të cilat përballet diaspora, në raport me zgjedhjet në Kosovë.

Kurse, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli tha se e drejta e votës është brenga kryesore për diasporën.

Ajo foli edhe për vonesat në arritjen e zarfeve nga diaspora gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale të 2019-s.

“Për zarfet se kur duhet të vijnë në Kosovë e kemi pasur si pengesë për herë të parë. Duhet ta gjejmë një model për këtë çështje. Mund ta ndryshojmë. Votuesit mund t’i përcaktojmë një datë se kur duhet ta çojë votën në postë. Pastaj i takon kompanisë se kur i duhet t’i sjell ato, kjo është çështje tjetër”, tha Pacolli.

Në anën tjetër, Yll Buleshkaj nga Sekretariati i KQZ-së shtoi se se janë munduar që rekomandimet t’i shqyrtojnë dhe t’i marrin në konsideratë aq sa ua lejon legjislacioni në fuqi.

“Modeli më i lirë dhe më i qasshëm për të votuar nga diaspora është përmes postës. Duhet të sigurohemi që secili model të jetë i verifikueshëm dhe i kontrollueshëm”, tha ai.