Avdullah Hoti gjatë fushatës | Foto: Facebook

Kandidati për kryeministër i LDK-së, njeriu i 5-të më i votuar në parti

Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar kishte fituar 26 mijë e 94 vota, duke u bërë kështu njeriu i 5-të më i votuar në këtë parti.

Hoti ishte votuar më pak se Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Anton Quni e Lumir Abdixhiku.

E para në listën e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani e cila në këto zgjedhje kandidonte për postin e kryeministres, ajo kishte marrë 176 mijë e 16 vota.

Pas Vjosa Osmanit ishte deputeti Kujtim Shala me 38 mijë 921 vota.

Ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ishte njeriu i tretë më i votuar në partinë e Isa Mustafës. Ai në zgjedhjet e 6 tetorit kishte marrë 31mijë e 731 vota.

I katërti kandidat më i votuar i LDK-së ishte ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku me 29 mijë e 531 vota.

Sot kryesia e LDK-së ka marrë vendim që Avdullah Hoti të jetë kandidati i tyre për kryeministër në kuadër të koalicionit të paralajmëruar me AAK, AKR, Nisma si dhe partitë e pakicave.

Qeveria e re është paralajmëruar pas mocionit të 25 marsit të iniciuar nga LDK ndaj qeverisë Kurti. Dje presidenti ka mbajtur një takim konsultativ me partitë, ndërsa sot zyrtarisht LDK-së ia ka kërkuar emrin e mandatarit pas 5 kërkesave pa përgjigje drejtuar partisë fituese të zgjedhjeve LVV-së.