Një muaj pas konstituimit, Kuvendi i Kosovës asnjë seancë të rregullt
Janë bërë më shumë se një muaj nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, por deri më tani nuk është mbajtur ndonjë seancë plenare.
Ndonëse janë betuar për të shërbyer si deputetë, këta të fundit nuk kanë qenë të angazhuar në punët legjislative, për shkak të pritjes së thirrjes së seancës në të cilën duhet të votohet kabineti i ri qeveritar.
Por edhe pse me rol pasiv, ligjvënësit e rinj kanë marrë pagë për muajin e parë për besimin që u është dhënë nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.
Ndërkaq, pagat e muajit të parë të deputetëve të legjislaturës së shtatë, buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar rreth 180 mijë euro.
Agnesa Haxhiu, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për KALLXO.com, se aktualisht paga bazë e deputetit është rreth 1,500 euro pa shtesat e tjera që përfshijnë pjesëmarrjen në seanca dhe komisione.
“Meqë tashmë ka kaluar një muaj prej kur është konstituar Kuvendi, normalisht deputetët e legjislaturës së VII janë kompensuar financiarisht për muajin e parë të punës, pra me pagën bazë sepse nuk kanë pasur angazhim tjetër brenda Kuvendit për këtë periudhë kohore”, ka theksuar ajo.
Sipas Haxhiut, nëse llogaritet vetëm paga bazë që e kanë marrë deputetët e legjislaturës së VII-të tashmë pasi kanë mbushur një muaj prej kur është konstituar Kuvendi, i bie që nga buxheti i shtetit janë shpenzuar rreth 180,000 mijë euro.
“Ndonëse Kuvendi është formuar më 26 dhjetor, ky institucion duke u bazuar në Rregulloren e Punës do të duhej t’i fillonte punimet e sesionit pranveror zyrtarisht në të hënën e tretë të janarit”, bën të ditur hulumtuesja nga KDI-ja.
Që prej seancës konstituive të 26 dhjetorit 2019, vetëm Kryesia e Kuvendit ka mbajtur një mbledhje, ndërkaq ende nuk janë formuar të gjitha grupet parlamentare dhe nuk janë formuar dhe ndarë komisionet parlamentare.
Haxhiu tutje sqaron se duke u bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, Kryesia e Kuvendit duhet që në marrëveshje me grupet parlamentare ta propozojë numrin dhe strukturën e komisioneve parlamentare, për të cilat mandej vendos Kuvendi.
“Ndonëse sipas Rregullores së Punës nuk ka ndonjë afat se kur duhet të formohen komisionet parlamentare, nga praktika në të kaluarën, procesi i formimit të komisioneve është bërë pasi është formuar edhe qeveria dhe është kompletuar korniza institucionale, kur edhe është përcaktuar qartë shumica parlamentare e opozita”, tregon Haxhiu.
Kurse, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ditë më parë për KALLXO.com ka thënë se se si kryesi e Kuvendit, ata do t’i respektojnë afatet kushtetuese për thirrjen e seancës ku do të votohet qeveria.
“Tash pasi Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar emrin për mandatar për formimin e qeverisë ne praktikisht jemi futur edhe në kohën kur rrjedhin 15 ditët e parapara me Kushtetutë dhe përbrenda afatit kushtetues sigurisht se do të mbahet seanca, pra kështu parashihet me Kushtetutën e vendit dhe kryesia e Kuvendit do ta respektojë atë”, është shprehur Nagavci.
Në anën tjetër, jo të gjithë deputetët e zgjedhur kanë kryer procedurën e betimit. Disa prej deputetëve të zgjedhur kanë vendosur që t’i mbajnë postet e tyre të tjera deri në një datë tjetër.
KALLXO.com ka raportuar se në seancën e konstituimit janë betuar vetëm 111 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, pasi 9 prej tyre, kanë vendosur t’i mbajnë postet e tyre ekzekutive.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e kanë finalizuar koalicionin qeverisës, ndërsa kanë mbetur edhe më pak se një javë kohë që në Kuvend të dalë për votim përbërja e qeverisë së re.