Foto: Atdhe Mulla
Emrat e deputetëve të rinj të LVV-së e LDK-së, në vendin e deputetëve që u bën ministra
Ministrat e sapo emëruar në Qeverinë e re të Kosovës, e të cilët paraprakisht patën siguruar mandatin si deputetë, do të zëvendësohen me ligjvënës të rinj të cilët, e janë më të votuarit pas kolegëve të tyre në zgjedhjet e fundit nacionale.
Enver Haliti, Alban Hyseni, Arta Bajralija, Tinka Kurti dhe Fitim Haziri pritet të jenë deputetët e rinj të Lëvizjes Vetëvendosje, në vend të kryeministrit, zëvendëskryeministrit të dytë dhe tre ministrave që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Enver Haliti i ka marrë 7,777 vota, Alban Hyseni 7,767 vota, Arta Bajralija 7,674 vota, Tinka Kurti 7,655 vota dhe Fitim Haziri me 7,542 vota.
Këta emra të deputetëve nuk janë zyrtarë, mirëpo janë nxjerrë nga listat e votave të publikuara nga KQZ-ja. Emrat e deputetëve mund të ndryshojnë në rast se kryeministrit Albin Kurti emëron ndonjë prej deputeteve në pozita ekzekutive.
Në qeverinë e re, Albulena Haxhiu është emëruar ministre e Drejtësisë, Glauk Konjufca –Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Haki Abazi – Zëvendësministër i dytë, Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq, Fidan Rekaliu, Shkumbin Gashi, Xhavit Uka, Hatim Baxhaku dhe Besa Gaxherri, pritet të jenë deputetët e rinj të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vend të zëvendëskryeministrit të parë dhe katër ministrave nga radhët e kësaj partie.
Në zgjedhjet e fundit, Fidan Rekaliu ka siguruar 7,717 vota, Shkumbin Gashi 7,434 vota, Xhavit Uka 7,549 vota, Hatim Baxhaku 7,948 dhe Besa Gaxherri ka marrë 7,075 vota.
Në ekzekutivin e ri, Avdullah Hoti është zgjedhur zëvendëskryeministër i parë, Hykmete Bajrami – Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes, Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit dhe Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Zëvendësimi i deputetëve, respektivisht i anëtarëve të Kuvendit është i rregulluar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Neni 112, pika 2 e këtij ligji e përcakton se “Një anëtar i Kuvendit të Kosovës mandati i të cilit përfundon në pajtim me nenin 112.1 zëvendësohet si vijon: a) nga kandidati i ligjshëm në radhë i të njëjtës gjini i cili ka fituar numrin më të madh të votave të listës së riorganizuar të kandidatëve të Subjektit Politik në emër të së cilës garoi anëtari; b) nëse nuk ka ndonjë kandidat tjetër të ligjshëm me gjini të njëjtë nga lista e kandidatëve, nga kandidati i radhës i cili ka fituar numrin më të lartë të votave në listën e kandidatëve; c) nëse nuk ka kandidat tjerë të ligjshëm në listën e kandidatëve, shkon kandidati i ardhshëm legjitim nga lista e kandidatëve të etnitetit politik që ka pasur koeficientin më të madh të votave sipas formulës së përcaktuar në nenin 111.4 të këtij ligji nga zgjedhjet e fundit të të njëjtit lloj; dhe d) nëse anëtari është kandidat i pavarur, shkon kandidati i ardhshëm legjitim nga lista e kandidatëve të etnitetit politik që ka pasur koeficientin më të madh të votave sipas formulës së përcaktuar në nenin 111.4 të këtij ligji”.
Ndërkaq, nenin vijues 112 përcakton se “Pasi që një ulëse të mbetet e zbrazët, Kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Një kërkesë e tillë duhet të përfshij edhe sqarimin se pse u lirua kjo ulëse”.
“Pas pranimit të kërkesës sipas paragrafit 3 të këtij neni, nëse sqarimi i dhënë është i mjaftueshëm, Presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë. KQZ-ja duhet që në afatin prej pesë (5) ditëve të punës nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë Presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm sipas paragrafit 2 të këtij neni”, thuhet në pikën 4 të nenit 112.