Një vit pas zgjedhjeve, Vjosa Osmani e zhgënjyer me "tjetërsimin e vullnetit të votuesve"
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 6 tetorin e vitit të kaluar, datë kjo që u mbajtën zgjedhjet nacionale në vend.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo ditë shënoi kthesën më të madhe politike në vend.
“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme”, tha ajo.
Sipas saj, sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar.
“Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar”, ka shtuar Osmani.
Osmani që në këto zgjedhje ishte kandidate për kryeministre nga partia që tani e kanë larguar nga të gjitha pozitat udhëheqëse të LDK-së, thotë se është e zhgënjyer.
“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar”, thotë ajo.
“Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, ka thënë në fund Osmani.
Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidate për kryeministre nga LDK, ndërsa u zgjodh si kryetare e Kuvendit, pasi kjo parti lidhi koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Por, LDK më 25 mars kishte iniciuar mocion ndaj qeverisë Kurti për shkak të mos pajtimeve për largimin e taksës si dhe pas shkarkimit të ministrit, Agim Veliu.
Më 20 qershor të këtij viti, me propozim të kryetarit të LDK-së, Vjosa Osmani ishte shkarkuar nga pozita e nënkryetares së partisë nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së për shkak se ajo nuk e kishte përkrahur themelimin e Qeverisë Hoti qysh nga fillimi.
Ndërsa, Osmani kishte qenë një nga 3 deputetët e LDK-së që nuk e kishte votuar qeverinë Hoti më 3 qershor të këtij vit.