Qeveria ndihmon me blerjen e druve familjet me asistencë sociale

Ministri i Financave Hekuan Murati ka bërë të ditur se secila familje që është përfituese e asistencës sociale, këtë muaj do të ketë edhe mbështetje shtesë të menjëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, përkatësisht blerjen e druve të zjarrit.

“Në kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë për të tejkaluar dimrin me sa më pak vështirësi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam ndarjen e 5 milionë eurove nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, mbështetje shtesë për familjet në asistencë sociale”- ka shkruar ai në facebook.

Sipas tij mbështetja financiare për këtë masë vjen nga Pakoja Energjetike e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila kap vlerën 75 milionë euro në total.

Murati po ashtu ka bërë të ditur se gjate ditëve në vijim do të bëhet verifikimi i listave dhe MFPT do të njoftojë me kohë edhe përfituesit në lidhje me zbatimin e kësaj mase.