Prokurori i Shtetit: Përveç armatimit kemi gjetur gjëra tjera të rëndësishme

Prokurori i Shetit, Naim Abazi që po heton sulmin e djeshëm terrorist ka konfirmuar se përveç armatimit, janë gjetur edhe gjëra të tjera që janë të rëndësishme për procedurat hetimore.

“Përveç armatimit janë gjetur edhe sende të tjera që janë shumë të rëndësishme” – tha Prokurori Naim Abazi i cili është në krye të hetimeve në rastin e sulmit terrorist në veri të Kosovës.

I njëjti ka folur për KALLXO.com ka konfirmuar se ka informata për disa vende të cilat policia po i identifikon me dyshimet se ka arsenal armësh.

Për përmbajtjen e këtyre gjetjeve, prokurori nuk dha më shumë informacion.

“Kemi informata për disa vende të cilat policia janë duke bërë identifikime e pastaj lokalizimin e atyre vendeve, nuk mundem me dhanë detaje më shumë se është e e ndjeshme e nuk munden me u prish provat” – tha prokurori Abazi për KALLXO.com.

Ndërkaq lidhur arrestimet Abazi tha se nuk ka persona të tjerë të arrestuar lidhur me këtë rast përveç atyre që janë të ditur deri më tani.

“Aktualisht nuk ka ndonjë person tjetër të arrestuar” – tha tutje ai.

Prokuroria Speciale dje kishte konfirmuar se janë ndaluar gjashtë persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, nga aksioni i djeshëm i Policisë së Kosovës, thuhet se janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.

Sipas Prokurorisë, ata po dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dita e hënë, 25 shtator 2023, është shpallur ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit dyshohet se janë arratisur.