Prebreza: Ne paguajmë miliona euro vetëm për shkak të humbjeve të energjisë elektrike
Humbjet e energjisë elektrike në Kosovë u faturohen qytetarëve, të cilët paguajnë deri në 110 milionë euro në vit për to.
Kështu ka deklaruar Visar Prebreza nga KALLXO.com në debat në emisionin “Kallxo Përnime” për rritjen e çmimit të rrymës.
Kjo deklaratë e Prebrezës vjen pas mbledhjes së bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) më 11.04.2025, në të cilën vendosi për shtrenjtim të rrymës, por nuk e bëri të ditur se sa është shtrenjtuar, ndonëse pretendohet se çmimi është rritur për 16%.
“Nëse sot nuk kishim pasë kaq shumë humbje, ne do t’i kishim pasë tarifat shumë ma të ulëta. Por, ne obligohemi me pagu KEDS-in edhe për humbjet teknike që ata i kanë, po për ma tepër, edhe për humbjet komerciale… Çka janë humbjet komerciale? Vjedhjet… Në Pejë diku humbjet komerciale janë 8%. Qysh është e mundur se në nivel vendi janë 4%, po qysh është e mundur që me u leju 8% në Pejë?” – ka thënë Prebreza.
“Humbjet komericale janë rreth 300 gigavati dhe nëse e shumëzojmë me 96 euro sa është megavati që e importojmë na këtë energji, i bjen rreth 28 milionë euro në vit, nëse flasim për humbjet teknike i bjen rreth 65 milonë euro, pra po mbërrijmë gati në 100 milionë euro humbje. Nëse i marrim vetëm humbjet e komunave veriore i bjen rreth 6 milionë euro. Pra, ne i kemi diku 110 milionë euro që i paguajmë për humbje të energjisë elektrike” – ka shpjeguar Prebreza.
Në mbledhjen e datës 11.04.2025, bordi i ZRRE me shumicë të votave ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KESCO-n në vlerë 435.9 milionë euro. Kjo vlerë është rreth 1.2 milion euro më shumë se ajo e propozuar nga ZRRE, e cila në raportet konsultative ishte 434.7 milionë euro apo që do të thotë rreth 15% rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Bordi i ZRRE përbëhet nga tre burra e dy gra: Ymer Fejzullahu (kryesues) dhe anëtarët – Lutfije Dervishi, Gani Buçaj, Arta Qorolli Isufi, Adnan Preniqi.
Në këtë buxhet nuk janë përfshirë bizneset të cilat do të kalojnë në treg të lirë dhe nuk do të rregullohen më nga ZRRE. Ndërsa KESCO kishte bërë kërkesë për të hyra në vlerë 448 milionë euro.
Në këtë mbledhje me shumicë të votave janë aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në vlerë 101,800 euro.
Të hyrat e lejuara maksimale për KEDS-in të miratuara në mbledhje janë 180 milionë euro derisa propozimi ka qenë 214 milionë euro.
Ndërsa, në ora 12:00 u mbajt një protestë në kryeqytet nga qytetarët të cilët iu bashkuan thirrjes së iniciativës “Asnjë cent ma shumë”.
Prej kur në publik doli lajmi se mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike janë mbajtur disa aksione dhe protesta kundër. Të mërkurën, më 02.04.2025, 12 aktivistë të iniciativës “Asnjë cent më shumë” u arrestuan te zyrat e ZRRE-së. Ata protestuan duke kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Ndërsa, të shtunën, më 05.04.2025, në Prishtinë u mbajt një protestë ku u kundërshtua rritja e çmimit të energjisë elektrike.
www.kallxo.com