Njehsori elektrik i KEDS

Verifikimi i njehësorëve elektrikë - MINTI gjobit KEDS-in me 110 mijë euro

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka gjobitur me 110 mijë euro KEDS-in.

Kjo pasi që gjatë muajit maj ka vazhduar verifikimi i njehësorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa në MINTI.

“Sipas të dhënave nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, nga verifikimet e realizuara është konstatuar se 18 njehsorë kanë qenë me afat të skaduar të validitetit, 2 njehsorë kanë rezultuar me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë. Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110,000 euro.”- ka njoftuar kjo ministri.

Sipas ministrisë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar në KEDS, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar.

MINTI ka thënë se procesi i verifikimit të njehësorëve do të vazhdojë deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) më 04.05.2026 kishte shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak të “parregullsive të konstatuara” në njehsorët elektrikë.

Sipas njoftimit, është konstatuar se 18 njehsorëve të verifikuar u kishte skaduar afati i vlefshmërisë, çka ka rezultuar me masat ndëshkuese ndaj operatorit të shpërndarjes së energjisë.

Gjatë muajit prill 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të MINTI-t ka trajtuar ankesat e konsumatorëve lidhur me dyshimet për parregullsi në matjen e energjisë elektrike. Një komision ad hoc, i themeluar për këtë çështje, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë të njehsorëve.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë. MINTI ka bërë të ditur se ankesat e konsumatorëve me dëshmi për devijime janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për qytetarët e dëmtuar.”- thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, më 04.05.2026.

Sipas njoftimit, raportet zyrtare të komisionit verifikues do t’u dorëzohen edhe organeve të drejtësisë si prova për procedurat hetimore që tashmë kanë nisur.

MINTI ka paralajmëruar se edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë me trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave, bazuar në gjetjet përkatëse.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), edhe me 14.04.2026, kishte gjobitur kompaninë KEDS, në lidhje me njehsorët matës të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate për media, kjo ministri kishte njoftuar se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, ishte konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”- thuhej në njoftimin e MINTI-t, duke mos bërë të ditur shumën totale të gjobave.

Me 02.04.2026, MINTI bëri të ditur se janë evdidentuar njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë, devijime në datë prej 2-3 ditë krahasuar me kohën reale dhe devijime prej 10-11 orë krahasuar më kohën reale.

Në anën tjetër, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në cilësinë e dëshmitarit, më 07.04.2026 ka dorëzuar në Polici dëshmi rreth çështjes me njehsorët elektrikë.

“Unë jam ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitë dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e  Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar”- kishte thënë Azemi.

MINTI gjobit KEDS-in me 90 mijë euro për parregullsi në njehsorët elektrikë