Vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja e një gruaje në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj: I dyshuari fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur

Policia e Ferizajt ka dhënë detaje për vrasjen që ndodhi pasditen e së premtes (12.04.2024) në Ferizaj ku një grua mbeti e vdekur ndërsa një djalë i lindur në vitin 2009 u plagos.

I dyshuari tashmë i arrestuar, sipas policisë fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur. I dyshuari është ish-bashkëshorti i viktimës.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa gruaja është gjetur pa shenja jete në vendngjarje.

Zëdhënësi i Policisë së Ferizajt, Kanun Veseli tha se policia ka marrë informacionin në orën 14:40, ndërsa kanë arrestuar të dyshuarin në orën 15:15.

“Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarjeje” – ka thënë Veseli.

Ai shtoi se ekipet e hetuesve dhe krimteknikët janë duke bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, e për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull , i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj” – thuhet në njoftimin e Policisë.

V.A. është i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij. Siç mëson KALLXO.com çifti ishin të ndarë, ndërsa nuk ka ende të dhëna nëse në dhomën e objektit të Qendrës për Punë Sociale ka qenë edhe ndonjë punëtor social.

Siç thonë burimet e KALLXO.com, ngjarja ka ndodhur në njërën nga zyrat e Qendrës për Punë Sociale.

Sipas informacioneve, ish-bashkëshorti dhe viktima dyshohet se kanë pasur mosmarrëveshje.

Vritet një grua në Ferizaj – Lajm në zhvillim