Vritet një grua në Ferizaj - Lajm në zhvillim

17:00 – Policia: Gruaja e vrarë në Ferizaj, 21-vjeçare

Gruaja e vrarë të premten pasdite në Ferizaj, (12.04.2024) nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj ishte 21-vjeçare me inicialet E.C., ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Policia më tej ka konfirmuar se i dyshuari me inicialet V.A është 36-vjeçar dhe vrasja ka ndodhur në katin e parë, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

KALLXO.com mëson se gruaja e vrarë është Erona Cokli, ndërsa i dyshuari Valon Aliu.

16:27 – Vrasja e gruas në Ferizaj, Instituti i Mjekësisë Ligjore shkon në vendin e ngjarjes

KALLXO.com sjell pamjet direkt nga Ferizaj.

15:46 – Vrasja në Ferizaj, është plagosur edhe vëllai i mitur i viktimës

Vëllai i gruas që u vra në Ferizaj i lindur në vitin 2009 është plagosur në dorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Fikret Arifi.“Në spital ka ardhë vëllai i të ndjerës. I është dhënë ndihma e parë, është jashtë rrezikut për jetë se plumbi në parakahraun e djathtë, në dorë domethënë. I është largu plumbi, i është mobilizuar dora. Po planifikohet dërgimi i tij në Repartin e Ortopedisë në Ferizaj” – tha Arifi.

15:35 – Arrestohet burri që dyshohet se vrau ish-gruan e tij

V.A. është arrestuar pas ngjarjes së rëndë qe u regjistrua në orët e pasdites së sotme.

Një grua u vra me armë zjarri, ndërsa dyshimet e prokurorisë janë se autori i vrasjes është ish-bashkëshorti.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Sipas informatave që kam pranuar nga Policia e Kosovës, i dyshuari është arrestuar”- tha Jashari për KALLXO.com

15:27 – Vrasja në Ferizaj, Prokuroria: I dyshuari është ish-bashkëshorti i viktimës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se një grua është vrarë në Ferizaj.

Dyshimet e prokurorisë janë se autori i vrasjes është ish-bashkëshorti i viktimës.

“Po mund të ju konfirmojmë që një grua është vrarë në Ferizaj. Sapo bisedova edhe me prokurorin kujdestar, ai më njoftoi se dyshimet e para janë se një grua është vrarë nga bashkëshorti. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale” – ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Vjosa Baftiu.

Zëdhënësja e Prokurorisë iu ka referuar të dyshuarit si bashkëshorti i viktimës, ndërsa kryeprokurori Shukri Jashari si ish-bashkëshort.

15:22 – Vrasja dyshohet se ndodhi para objektit të Qendrës për Punë Sociale

Drejtoresha e Qendrës Sociale, Adelina Rexhepi e pyetur se a ka ndodhur vrasja para objektit të Qendrës për Punë Sociale, është përgjigjur me “po, ka ndodhë”.

“Momentalisht jam me Policinë, ka ndodhë, por nuk muj me dhanë asnjë informatë.” E pyetur se a ka ndodhur rasti “tek objekti juaj”, ajo është përgjigjur me “po”.

Një grua është vrarë në Ferizaj, të premten më 12.04.2024.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

Informatat në Policinë e Kosovës janë që deri më tani një grua është pranuar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Ferizajt pa shenje jete.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar.

Vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja e një gruaje në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

15:22 – Vrasja dyshohet se ndodhi para objketit të Qendrës për Punë Sociale

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi e ka konfirmuar për KALLXO.com se vrasja ka ndodhur para objektit të këtij institucionit.

Vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja e një gruaje në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

Artikulli në përditësim.

Shënim: Artikulli është edituar më 12.04.2024, ora 15:41. Zëdhënësja e Prokurorisë iu ka referuar të dyshuarit si bashkëshorti i viktimës, ndërsa kryeprokurori Shukri Jashari si ish-bashkëshort. Kallxo.com ka edituar artikullin dhe të dyshuarit iu është referuar si ish-bashkëshort i viktimës.

Shënim: Artikulli është edituar më 16.04.2024, në ora 17:41, duke u zëvendësuar fjalia “Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi e ka konfirmuar për KALLXO.com se vrasja ka ndodhur para objektit të këtij institucionit”, për t’u zëvendësuar duke iu saktësuar citati drejtoreshës së qendrës që e ka dhënë deklaratën përmes telefonit, për KALLXO.com, përfshirë edhe pyetjet e gazetares.