Screenshoot nga videoja e arrestimit të njërit nga personat e dyshuar si pjesë e një grupi kriminal

Policia e Kosovës: Brenda vitit shkatërruam 23 grupe kriminale

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shkatërruar 23 grupe kriminale gjatë vitit 2023.

Departamenti i Hetimeve në Policinë e Kosovës shpjegon se grupet kriminale janë përbërë prej më shumë se tre personave.

Sipas përgjigjes së Policisë së Kosovës, dy nga këto grupe kryenin veprimtari edhe në rajon kurse 21 të tjerë në nivel vendi.

Në 23 grupet e shkatërruara, pjesë e tyre ishin 161 persona të dyshuar. Për sulm ndaj rendit kushtetues u arrestuan tetë persona nga një grup kriminal.

Korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare ishte vepra penale për të cilën ishin të përfshirë 15 persona nga dy grupe. Dy grupe që së bashku përbënin nëntë persona kryenin veprën penale të trafikimit me armë.

Trafikim me narkotikë kryenin pesë grupe apo 25 persona të përfshirë.

Një grup prej tre personave kultivonte narkotikë.

Katër persona të një grupi u arrestuan për “Vrasje në tentativë, privim i kundërligjshëm nga liria, armëmbajtje pa leje etj”.

Policia tregon se për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm u arrestuan 36 persona nga dy grupe kriminale.

Tre grupe apo 33 persona u arrestuan për fajde.

Për marrje të ryshfetit u arrestuan tre persona nga një grup kriminal.

Dy grupe kriminale që merreshin me mashtrim u shkatërruan nga Policia, nga këto dy grupe u arrestuan 11 persona.

Gjashtë persona të një grupi u arrestuan për falsifikim dokumentesh.

Për grabitje u arrestuan tre persona të një grupi kriminal.

Në grupin e fundit, për falsifikim parash u arrestuan gjashtë persona sipas Policisë.