Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
PDK mohon se ka arritur marrëveshje për pozitën e nënkryetarit të Prishtinës
Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar raportimet se është arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sipas të cilës, siç raportuan mediat, pozita e njërit nënkryetar të Komunës së Prishtinës do t’i takojë Blerand Stavilecit të PDK-së.
Arben Gecaj, sekretar i degës së PDK-së në Prishtinë, ka thënë se ata janë parti e tretë në Kuvend Komunal dhe nuk mund të caktojnë nënkryetarët.
“Jo, nuk kemi asnjë marrëveshje me askënd. Dega e PDK-së në Prishtinë me ofertën e saj është partia e tretë në këtë garë. Ne nuk mundemi të caktojmë asnjë nënkryetar në Komunë, jemi opozitë në Kuvend Komunal, me 9 asamblistë”, ka thënë Gecaj.
Përpos Stavilecit, për pozitën e nënkryetarit u përmend edhe Alban Zogaj, anëtar i LDK-së, i cili nuk është deklaruar ende për raportimet në media.
Derisa kryetari i zgjedhur Përparim Rama në debatin “Kallxo Përnime” ka bërë të ditur se Zogaj do jetë pjesë e ekipit të tij por nuk ka dhënë detaje për pozitën që do marrë ai.
Rama ka deklaruar po ashtu se në ekipin e tij do të marrë edhe persona nga partitë e tjera, bazuar në CV-të e tyre.
Me Ligjin për Prishtinën, i cili është implementuar që nga viti 2018, kjo Komunë ka të drejtë të ketë dy nënkryetarë.