PDK kërkon të kthehet fotografia e Hashim Thaçit në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që urgjentisht në kabinetin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit, të vendoset fotografia e presidentit Hashim Thaçi.

PDK thotë se Osmani e ka shkelur Ligjin për Protokollin e Shtetit.

“Vjosa Osmani, e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të Presidentit. Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.

Ky reagim i PDK-së vije pasi, siç ka raportuar KALLXO.com, Osmani e ka vendosur fotografinë e ish-presidentit Rugova në kabinetin e saj në vendin ku më herët ka qenë fotografia e Presidentit, Hashim Thaçi. Vjosa Osmani një ditë më parë është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.
PDK-ja thotë se Osmani “përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve”.

“Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve. PDK bën thirrje që kthimi i fotografisë së Presidentit të ndodhë sa më parë”, vijon komunikata.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk e ka larguar nga kabineti i saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, por vetëm e ka zhvendosur atë.

“Nuk e kam larguar, por vetëm e kam zhvendosur në një vend me se të merituar për presidentin aktual. Unë e njoh mirë legjislacionin dhe nuk ka shkelje kushtetuese sepse nuk përcaktohet aty se në cilin cep të Kuvendit të jetë fotografia, ju do të vini dhe do ta shihni vet”, tha Osmani gjatë një vizite në QKUK.

Kryeparlamnetarja tha se e ka vendosur në ballinë të zyrës fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova për t’u inspiruar.

Kurse, PDK-ja ka kërkuar edhe reagimin e Administratës së Kuvendit.

“Administrata e Kuvendit të Kosovës të reagoj pa vonesë, në të kundërtën, fotografia e Presidentit do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht, si ruajtje e karakterit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”, thuhet në reagim.

PDK ka vazhduar me akuza ndaj kryeparlamnetares Vjosa Osmani.

“Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbej institucionit ku është zgjedhur. Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë”, thekson PDK-ja.

Kjo parti politike ka shtuar se  kanë dhënë shembull pas zgjedhjeve të 6 tetorit duke mbetur në opozitë dhe siguruar transicionin e pushtetit.

“Por nuk do të toleroj që të cenohet rendi kushtetues e ligjor dhe asnjë institucion i rëndësishëm i Kosovës. PDK-ja është po ashtu duke shqyrtuar dhe analizuar anën legale të zgjedhjes së saj si kryetare natën e mbrëmshme”, përfundon reagimi i PDK-së.

https://kallxo.com/lajm/vjosa-osmani-thote-se-nuk-e-ka-larguar-fotografine-e-hashim-thacit/