Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Pas vrasjes së dy grave në Kosovë, Policia thotë se çdoherë ka ndërmarrë veprimet ligjore në kompetencë të saj

Pas vrasjeve së dy grave që ndodhën brenda 5 ditësh në Kosovë, ku të dyshuar janë bashkëshorti ose ish-bashkëshorti, Policia e Kosovës thotë se çdoherë ka ndërmarrë veprimet ligjore që janë në kompetencë të saj.

Policia shton se dhuna në familje mbetet shqetësuese në Kosovë, ndonëse thotë se ka rreth 10 për qind rënie të rasteve, krahasuar me vitin paraprak.

“Veprimet ligjore të cilat bien në kompetencë të Policisë së Kosovës janë ndërmarrë çdo herë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin dhe koordinim me institucionet relevante siç janë, qendrat për pune sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë” – ka thënë Policia përmes një komunikate.

Edhe pse të dy të dyshuarit kanë të kaluar kriminale, Policia thotë se në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime në parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë edhe ndërmarrjen e masave konkrete në sensibilizim dhe parandalim të rasteve të dhunës në familje.

Më tej, Policia thotë se në të gjitha rastet janë arrestuar personat e dyshuar dhe se rastet janë trajtuar sipas udhëzimeve të organeve të drejtësisë, “ashtu siç ka ndodhur edhe me arrestimin e dy personave të dyshuar të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjet në Ferizaj dhe Pejë”.

“Rastet e dhunës në familje kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten shqetësuese, edhe përkundër faktit se rastet e tilla në vitin e fundit kanë shënuar rënie nga 2.757 raste në 2.460 raste, ose rënie prej 10.77% krahasuar me vitin paraprak, raste këto të cilat në këtë fillim vit vazhdojnë të mbeten edhe më tej shqetësuese” – thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës thotë se dhuna në familje kudo në botë shkatërron jetët e njerëzve, sikurse ndodhi me vrasjen e Gjyljeta Ukellës më 16.04.2024 në Pejë dhe vrasjen e Erona Coklit më 12.04.2024 në Ferizaj.

Për mbrojtjen nga dhuna, si e drejtë themelore e njeriut, Policia thotë se ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë.

Një faktor shumë i rëndësishëm në parandalimin e dhunës në familje, sipas Policisë, është komuniteti, përfshirë individët, organizatat dhe institucionet e ndryshme dhe sistemi ligjor, që Policia thotë se duhet të jenë të bashkuar në përpjekjet për të siguruar ndaljen e çdo dhune në familje apo me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën dhe abuzimin ndaj grave e fëmijëve.

“Përdorimi i  dhunës nuk është formë e zgjidhjes së problemeve, vdekja e një personi në çfarëdo rrethane është tragjedi për familjen dhe komunitetin, andaj Policia e Kosovës vazhdon tu bëjë thirrje të gjithë njerëzve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, ti raportojnë rastet pa vonesë, pasi kjo është mënyra e duhur për ti zgjidhur dhe parandaluar rastet si dhe për ti sjellë të dyshuarit para organeve të drejtësisë, për ta marrë dënimin e merituar nga institucionet kompetente” – përfundon komunikata e Policisë.

Edmond Lajqi, i dyshuari për vrasjen e gruas së tij, Gjyljeta Ukella sot në Pejë ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale – dhunë në familje qysh para dy vjetësh, përkatësisht më 01.02.2022.

Nga kjo Gjykatë kanë konfirmuar për KALLXO.com se ndaj Lajqit ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit ishte zëvendësuar më pas me dënim me gjobë në shumën prej 3oo euro.

Edhe Valon Aliu, i dyshuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Erona Cokli më 16.04.2024 në Ferizaj, është i njohur për sistemin e drejtësisë nga e kaluara, me disa dosje penale e vendime nga gjykata.

Në vitin 2007, Aliu ka qenë i akuzuar për shkak të veprës penale lëndim i lehtë trupor, për të cilën i është shqiptuar masë edukative-mbikëqyrje e shtuar nga ana e prindit, i cili aktvendim është bërë i plotfuqishëm më datë 12.04.2008.

Në vitin 2012, Valon Aliu kishte qenë i akuzuar për shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor për të cilën i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 350 euro, i cili aktgjykim është bërë i plotfuqishëm më datë 05.03.2015, të cilin e ka paguar.

Në vitin 2016, Valon Aliu ishte akuzuar për shkak të veprës penale – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, për të cilën i është shqiptuar dënim me burg prej 2 muajve.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se ky dënim nuk do të ekzekutohej nëse i pandehuri në afat prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër ose të ngjashme penale. Ky aktgjykim ishte bërë i plotfuqishëm më 13.02.2019.

Në vitin 2021, Valon Aliu figuron se ishte i akuzuar për shkak të veprës penale – nxitja e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë, mirëpo Gjykata ka konfirmuar se kjo aktakuzë ishte refuzuar.

Në vitin 2022, Aliu figuron si i akuzuar për shkak të veprës penale – kanosja, për të cilën i është shqiptuar dënim me burg prej 6 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër ose të ngjashme penale. Ky aktgjykim ishte bërë i plotfuqishëm më 14.11.2022.

Dhe rasti i fundit si i dyshuar për veprën penale – vrasje e rëndë dhe veprën penale – armëmbajte pa leje, atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.