Opozita braktis seancën

Tri partitë opozitare në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK janë larguar nga seanca plenare.

Paraprakisht, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi deklaroi se ellja e papërgjegjshme e ministrit të Financave duke provuar me çdo kusht ta marrë buxhetin e komunave, është e papranueshme.

“Sjellja e papërgjegjshme e ministrit të financave duke tentuar që me çdo kusht të marrë buxhetin e komunave na pamundëson që të jemi konstruktiv në seancat e Kuvendit. Ministri nuk po e kupton që ligji për buxhetin është me karakter të afatizuar, fillon me 1 janar dhe përfundon me 31 dhjetor”- tha Gashi.

Sipas Gashit, paaftësia e ministrit ka sjellë një situatë që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, në seancë në komisione, nuk do të votojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe do ta shqyrtojnë edhe votimin në mbledhjet e Kryesisë.

“Paaftësia dhe qëllimi i tij i keq po na bie në një situatë ku ne refuzojmë edhe të komunikojmë me të. Prej sot gupi parlamentar i LDK-së deklaron se nuk merr pjesë në asnjë votim në seancë, në marrëveshje ndërkombëtare, nuk merr pjesë në votim të komisioneve dhe do të shqyrtojë shumë shpejtë edhe marrjes pjesë në Kryesi sepse është puq institucional kapja e buxhetit të komunave që janë hyra vetanake”- u shpreh ai.

Më tej, kreu i gp të LDK-së tha se sot gjithashtu po largohen nga seanca e Kuvendit.

“Sjellja tekanjoze, me qëllim ofendimi, me qëllim përfitimi e bllokimi për ne është e pa lejueshme dhe nuk mundemi me u sjellë sikur s’po ndodhë asgjë, për sot e lëshojmë seancën dhe nuk do marrim pjesë në votime”- shtoi Gashi.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se sot do të lëshojnë seancën.