Foto: KALLXO.com

Opozita bojkoton mbledhjen, Projektligji për tekste shkollore procedohet në komisionet e përhershme

Projektligji për tekste shkollore u miratua në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport me gjashtë vota për. Të gjitha këto vota ishin nga deputetët e pozitës, pasiqë opozita e ka bojkotuar mbledhjen.

E pranishme në Komision ishte ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe deputetët: Arijeta Rexhepi (LVV), Adriana Matoshi (LVV), Arjeta Fejza (LVV), Jahja Koka (LVV), Ardian Gola (LVV) dhe Enis Kervan nga Grupi Parlamentar multietnik.

Në përbërje të Grupit punues për Projektligjin për tekste shkollore janë deputetët Arijeta Rexhepi, Arijeta Fejza, Enis Kervan, Eliza Hoxha, Enis Kervan dhe Vlora Dumoshi. Grupi punues ka në krye Arijeta Rexhepin.

“Ka qenë edhe ministrja dhe i kemi diskutuar me radhë”- tha Arijeta Rexhepi në mbledhjen e Komisionit, ku nuk pati fare diskutim vetëm prezantim dhe miratim të projetligjit i cili do vazhdoj rrugën në katër komisionet e përhershme parlamentare.

I gjithë lëmshi për këtë projektligj u shkaktua për shkak të votave të cilat u kontestuan nga disa deputetë në seancën e 7 marsit ku kaloi në parim ky projektligj.

Ardian Gola, Kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport tha që ky projektligj ka pasur vonesa në kalim në lexim të parë, përkundër që është proceduar me kohë në seancë plenare. 

“Pas kalimit në lexim të parë në përputhje me vendimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Komisioni e ka proceduar tutje për shqyrtim nen për nen të këtij projektligji dhe për këtë arsye është themeluar grupi punues”- tha Gola.

Sa i përket numrit të votave, ai tha se nuk ka asgjë të pazakontë në mënyrën se si po procedohet ky projektligj dhe se Komisioni për Arsim nuk ka mandat, as autoritet e as kompetencë për të ndalë procedurën automatike e cila fillon në momentin kur nga kryetari i Kuvendit kanë një vendim të plotëfuqishëm i cili i detyron komisionet funksionale për të proceduar tutje.

“Nëse ka diçka kontestuese ashtu siç po ngritet edhe nga opozita atëherë është Komisioni për Legjislacion dhe Mandate që e ka për obligim dhe për mandat për të interpretuar nëse është shkelur Rregullorja ose jo. Ne si Komision nuk guxojmë ta ndalim automatizimin e kësaj procedure, por duhet të procedojmë në përputhje me obligimet që vijnë nga seanca plenare, përkitazi, nga vendimet që nxjerren nga kryetari i Kuvendit”- tha Gola.

Votat për këtë projektligj u kontestuan edhe nga disa deputetë të pozitës edhe një nga opozita, Eliza Hoxha (PDK).

Sidoqoftë, me 03.04.2024, Administrata e Kuvendit ka hedhur poshtë pretendimet e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars 2024 nuk ka pasur kuorum për t’u  votuar në parim Projektligji për tekstet shkollore.

Deputetët Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.

“Ne nuk guxojmë të predikojmë asgjë në ankesat e ngritura dhe nuk jemi adresa e duhur për t’i trajtuar këto, është kabienti dhe administrata dhe shpresoj që çdo gjë të shkoj në përputhje me procedurën”- tha Gola.

Megjithatë, KALLXO.com kishte raportuar që në seancën e 7 marsit 2024, bazuar në transmetimin direkt shihet që deputëtet Eliza Hoxha, Visar Korenica, Gramos Agusholli, Labinotë Demi Murtezi, Eliza Hoxha, Isak Shabani, Agim Veliu nuk kanë marrë fare pjesë në votim, anipse janë regjistruar si pjesë e kuorumit, pasi që të njëjtit nuk reaguan kur u pyetën nga kryekuvendari Konjufca nëse kanë marrë pjesë në votim ose jo.