Kusari- Lila: Dështimi i "referendumit" në veri, dëshmi që Serbia pamundëson integrimin e serbëve në Kosovë

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se dështimi i “referendumit” në katër komunat veriore të Kosovës, shpërfaq faktin që Serbia përmes Listës Serbe përdor të gjitha mekanizmat për të pamundësuar integrimin e serbëve.

“Ajo çka ndodhi dje [më 21.04.2024] është shpërfaqje e faktit që Serbia së pari përmes Listës Serbe përdor të gjitha mekanizmat për të pamundësuar integrimin e serbëve në vend. Është e qartë se pengesa kryesore e integrimit të serbëve në Kosovë, e veçanërisht në veri është Serbia”- ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur më 22.04.2024.

Ajo tha se BE-ja sa më parë qe është e mundur duhet t’i heq masat ndaj Kosovës dhe duhet konsideruar aplikacionin e Kosovës për statusin kandidat për anëtar të BE-së.

Sipas Kusari – Lilës, institucionet e Kosovës kanë bërë të gjitha përpjekjet demokratike në këtë proces.

“Serbia, as nuk është në rrugën e duhur e as nuk ka për qëllim normalizimin e raporteve me Kosovën. Në të kundërtën e saj, institucionet e Kosovës kanë bërë të gjitha përpjekjet që në mënyrë demokratike, në këtë rast komuniteti serb në veri të vendit, të ketë të zgjedhurit e tyre”- është shprehur ajo.

Andaj, sipas saj, vendet anëtare te BE-së nuk kanë më argumente pse duhet të mbahen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.