Mbledhja e KQZ. Foto: KALLXO.com.

KQZ shtyn afatin e aplikimit për akreditimin e mediave për vëzhgimin e votimit në katër komunat në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë afatin për akreditimin e mediave për vëzhgimin e procesit të votimit në katër komunat në veri të Kosovës që pritet të mbahet të dielën, më 21.04.2024.

Mediat do të mund të aplikojnë për akreditim deri në ora 16:00 të ditës së sotme (17.04.2024).

Deri të ky vendim erdhi pasi katër media dhe institucione diplomatike kanë aplikuar për vëzhgimin e votimit pas përfundimit të afatit.

Anëtarët e KQZ-së vendosën që të akreditohen edhe këto organizata dhe të shtyhet afati për aplikim.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Besnik Buzhala tregoi se në zgjedhjet e rregullta, afatet janë të caktuara sipas ligjit, ndërsa në procese të jashtëzakonshme si kjo, KQZ vendos vetë afatet.

Ambasada e Austrisë në Kosovë, Zyra ndërlidhëse mes Kosovës dhe Sllovakisë, Danas dhe Gazeta Demos janë ato që kanë aplikuar pas përfundimit të afatit.

KQZ po ashtu mori vendim të shfuqizoj vendimin ku RTK2 dhe RTK1 ishin akredituar ndaras.

“Të shfuqizohet vendimi për akreditimin e RTK2 me 19 vëzhgues dhe të akreditohet RTK1 me 34 vëzhgues bashkë me këta të RTK2 ” tha – Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ.

“Pra krimbi i ndarjes është edhe në RTK , na veç e kemi , qashtu po i bjen” – reagoi anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

Votimi për apo kundër shkarkimit të katër kryetarëve në komunat në veri të vendit pritet të mbahet më 21.04.2024.

Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar më 07.04.2024 se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ata kanë bërë thirrje që qytetarët të mos dalin në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.

Ndërsa, më 08.04.2024, Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve njoftoi se katër anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, kanë dhënë dorëheqje pasi ishin emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të Listës Serbe.