Nis protesta qytetare kundër shtrenjtimit të rrymës
Ka nisur protesta e radhës nga iniciativa “Asnjë cent ma shumë” në Prishtinë, kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Një numër qytetarësh janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit dhe po protestojnë me pankarta me mbishkrime: “ZRRE nuk na përfaqëson”, “Tarifat e reja = Padrejtësi e re”, “16.1% më shumë padrejtësi” , “Pezullojeni vendimin”.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për të mbajtur seancën konstituive, për të tretën herë, pas dy tentimeve për këtë seancë më 15.04.2025 dhe 17.04.2025.
Më 16.04.2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë miratoi tarifat e reja të energjisë që reflektojnë rritje të çmimit prej 16.1%. Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga data 01.05.2025.
Grupi i aktivistëve “Asnjë cent më shumë” ka protestuar disa herë në kundërshtim të rritjes së pagesës për energji elektrike. Protesta e tyre e fundit ishte më 11.04.2025.
ZRRE e ka arsyetuar rritjen prej 16.1% si shkak i rritjes së kërkesës, mungesës së prodhimit dhe rritjes së çmimit të importit të energjisë.
Kurse, bizneset të cilat kanë qarkullim mbi 10 milionë euro ose kanë më shumë se 50 punëtorë nga 01.06.2025 do të dalin në treg të lirë për të blerë energjinë elektrike.
Paraprakisht, ZRRE në mbledhjen e mbajtur më 11.04.2025 miratoi të hyrat e lejuara maksimale për Kompanitë e Sektorit të Energjisë. Bordi me shumicë të votave ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KESCO-n në vlerë 435.9 milionë euro.
