Rizvanolli drejtuar opozitës: Disa prej jush e keni mirëpritur një rritje eventuale të çmimit të rrymës

Derisa po vazhdojnë diskutimet ne Kuvend, miinistrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se këtë vit nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, duke falënderuar institucionet që kanë “kontribuar në këtë rezultat”.

Ajo tha se ZRRE, KEK dhe KESCO kanë punuar që këtë vit të mos ketë rritje të tarifave.

“Se pari dua të falënderoj ZRRE-në, KEK-un dhe KESCO-n të cilët kanë punuar që sivjet të mos ketë rritje të tarifave të energjisë,” tha Rizvanolli.

Ajo sqaroi se nuk bëhet fjalë për rritje këtë vit, por për një planifikim të kostove për dy vite, për shkak të situatës së vështirë në prodhim.

Rizvanolli përmendi se një nga njësitë prodhuese, Blloku B1, aktualisht është jashtë funksionit për investime, gjë që ka ndikuar në situatën energjetike.

“ZRRE ka propozuar një profilizim të kostove për dy vjet, pasi sivjet është vit i vështirë për shkak se blloku B1 është jashtë funksionit për investime,” u shpreh ajo.

Sipas saj, pas investimeve që pritet të realizohen, prodhimi i energjisë vitin e ardhshëm do të jetë më i lartë dhe situata më e mirë.

“Përkundër asaj që është proklamuar gabimisht se nuk do të ketë rritje sivjet, por do të ketë vitin e ardhshëm, kjo nuk është e saktë nëse lexoni raportin e ZRRE-së,” tha ministrja.

Rizvanolli shtoi se çmimi i energjisë në Kosovë mbetet më i ulëti në rajon, krahasuar edhe me Shqipërinë.

“Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mbetet më i ulëti në rajon. Gjatë vitit 2025 ka qenë mesatarisht 8.17 centë për kWh, ndërsa në Shqipëri ka qenë 11.6 centë,” deklaroi ajo.

Në fund, ministrja reagoi edhe ndaj kritikave në debatet politike, duke thënë se janë dhënë shumë, siç u shpreh ajo, të pavërteta për këtë çështje.

“Janë dhënë shumë të pavërteta, por unë dua të fokusohem te shifrat, pavarësisht se ato janë të pasakta. Për pjesën tjetër të ‘rrëfimeve’ që thoni, është shumë e vështirë t’u përgjigjesh, sepse është e pa logjikshme ju me dalë me shpik gjëra e unë me i kundërargumentu,” u shpreh Rizvanolli.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur intervistimet në terren lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë.

Më 07.04.2026, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në cilësinë e dëshimtarit ka dorëzuar në Polici dëshmi rreth çështjes me njehsorët elektrikë.

“Unë jam ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitë dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e  Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar”- ka thënë Azemi më 07.04.2026.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar më 27.03.2026 dëshmitë për çka pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

KEDS kishte reaguar në raport me pretendimet e Visar Azemit se njehsorët e energjisë elektrike e masin kohën gabimisht dhe kishin garantuar se matjet janë të sakta, të besueshme dhe transparente.

Një komision i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka nisur më 01.04.2026 verifikimin e ankesave të para të qytetarëve për njehsorët e rrymës.

Ministria ka njoftuar se njehsorët te të cilët janë vërejtur mospërputhje të kohës janë tërhequr nga funksioni dhe janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

MINTI ka gjobitur kompaninë KEDS, në lidhje me njehsorët matës të energjisë elektrike. Përmes një komunikate për media, MINTI ka thënë se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmëirsë së njehsorëve elektrikë.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”- thuhet në njoftimin e MINTI-t më 14.04.2026, duke mos bërë të ditur shumën totale të gjobave.

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të parashtrojnë ankesa në adresën elektronike: [email protected] dhe të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike