Gjykata Kushtetuese, Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Kushtetuesja i jep të drejtë biznesit që kundërshtoi daljen në tregun e lirë të energjisë, rrëzon vendimin e Supremes

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Gjykata Supreme ka shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe qasje në gjykatë në rastin e biznesit individual të Fidan Muhaxhirit, duke e shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e kësaj gjykate duke e kthyer çështjen për rivendosje në Supreme.

Sipas Kushtetueses, rasti ka të bëjë me padinë që ka ngritur Fadil Muhaxhiri si biznes individual, kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar shfuqizimin e Udhëzuesit për daljen e konsumatorëve në treg të lirë të energjisë elektrike (UEE).

Sipas tij, UEE-ja kishte detyruar atë të largohet nga furnizimi universal me energji elektrike dhe të kalojë në tregun e lirë.

Për këtë, Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë padinë si të palejueshme, me arsyetimin se UEE-ja nuk përbën normë juridike, por ka karakter informativ dhe udhëzues.

Megjithatë, para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi thuhet se ka pretenduar që udhëzuesi kishte efekt detyrues, pasi e përjashtonte nga shërbimi universal dhe e obligonte të hynte në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Kushtetuesja thotë se ai argumentoi gjithashtu se UEE-ja shtrembëron përmbajtjen e nenit 37.2 të Ligjit për Energji Elektrike. Sipas këtij neni, të drejtën për furnizim universal e gëzojnë konsumatorët jo-familjarë që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se 10 milionë euro ose jo më shumë se 50 punonjës. 

Sipas Muhaxhirit, si parashtrues i padisë, mjafton plotësimi i vetëm njërit prej këtyre kushteve për të përfituar nga furnizimi universal.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se në praktikën gjyqësore nuk duhet të merret parasysh vetëm emërtimi dhe forma e një akti, por edhe përmbajtja dhe efektet që ai prodhon.

Sipas Kushtetueses, Gjykata Supreme është dashur të shqyrtojë pretendimin se UEE-ja e kontestuar e shtrembëron përmbajtjen e Ligjit për Energji Elektrike, duke përcaktuar se tejkalimi i vetëm njërit kriter mjafton për largimin nga furnizimi universal dhe kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Gjykata ka vlerësuar se nga përmbajtja e aktvendimit të kontestuar rezulton se Supremja nuk e kishte bërë një vlerësim të tillë.

“Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se mosshqyrtimi i padisë lidhur me UEE-në e kontestuar ka nxjerrë në pah një qasje të formalizmit të skajshëm në interpretim dhe zbatim të ligjit, por edhe mos vlerësim të situatës reale të parashtruesit të kërkesës përkatësisht me pasojat ekonomike që UEE-ja e kontestuar ka krijuar në raport me të”- thuhet në njoftimin e lëshuar, më 30.05.2026.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)  kishte marrë vendim se që nga data 01.06.2025 bizneset e mëdha që kanë më shumë se 50 të punësuar, apo më shumë se 10 milionë euro qarkullim, duhet të kalojnë në tregun e lirë të energjisë. Kjo nënkuptonte se ata do të gjenin energjinë elektrike në treg të hapur, nga kompani që janë të licencuara nga ZRRE-ja.

Periudha e tranzicionit ishte përcaktuar të jetë 60 ditë, që i bie deri më 01.08.2025.

Kurse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), që është Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), sipas një Vendimi të ri të ZRRE-së, do të ketë këtë status deri në janar të vitit 2026.

Në anën tjetër, bizneset me në krye Odën Ekonomike të Kosovës e kishin kundërshtuar Vendimin e ZRRE-së, që bizneset e mëdha me mbi 50 punëtorë ose me mbi 10 milionë euro qarkullim, nga data 1 qershor 2025 të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Më 29.05.2025 ata kishin mbajtur një protestë në Prishtinë – duke bllokuar pjesshëm të gjitha hyrjet në Kryeqytet, si dhe një protestë tjetër më 11.06.2025, po ashtu në Prishtinë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) kishte njoftuar se ka ndërmarrë një hap ligjor, përmes së cilit thonë se do t’i mbrojnë interesat e bizneseve anëtare dhe të gjithë sektorit privat në vend.

DHTIK ka njoftuar se ka bërë padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për siç thonë ata shkelje të rënda ligjore dhe procedurale në Vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Bizneset kanë filluar paditë duke kërkuar pezullimin e vendimit të ZRRE-së, ndërsa ka raste individuale që bizneset kanë fituar në Gjykatën Komerciale.

E në anën tjetër, ZRRE-ja ka aprovuar aplikimin për licencim si furnizues i energjisë elektrike të “Management & Development Associates” sh.p.k, kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, shefit të stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në nëntor 2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.