Janina Ymeri pretendon se ka kapje të sektorit të energjisë: Ka qenë keqmenaxhim i sektorit, nga prodhimi e deri te vendimmarrja e ZRRE

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar menaxhimin e sektorit të energjisë elektrike, duke e lidhur rritjen e çmimeve me, siç tha ajo, keqmenaxhimin dhe ndikimin politik.

Gjatë seancës ku po diskutohet për çmimin e energjisë, Ymeri deklaroi se qytetarët nuk kanë pasur arsye të përballen me ngritjen e çmimeve.

“Edhe këtë vit, edhe vitin e kaluar nuk kemi pasur asnjë shkak që të paguajmë rritjen e energjisë elektrike. Ka qenë keqmenaxhim i sektorit, nga prodhimi e deri te vendimmarrja e ZRRE,” – tha ajo.

Ajo akuzoi institucionet për mungesë transparence dhe për kapje të sektorit energjetik nga pushteti.

“ZRRE nuk më përgjigjet në pyetjen e thjeshtë për ‘mafinë energjetike’. Jo vetëm që janë të kapur, por pushteti e ka gllabëruar komplet sektorin e energjisë elektrike,” – u shpreh Ymeri.

Deputetja përmendi edhe, sipas saj, përfshirje familjare në këtë sektor.

“Ku mund të jetë një sektor i pavarur kur në zyrat ku bëhet tregtia e energjisë dhe bilanci është edhe vëllai i kryeministrit. Kjo është një rrjet i madh i parasë dhe keqmenaxhimit, që përfshin edhe familjarë të tjerë në termocentrale,” – tha mes tjerash deputetja e LDK-së, Janina Ymeri.

Ymeri shtoi se, sipas të dhënave që përmendi, gjatë vitit 2024 janë eksportuar rreth 150 milionë euro energji elektrike, ndërkohë që qytetarëve u është thënë se vendi ka pasur nevojë për import.

“Na është thënë se kemi importuar shumë energji dhe duhet të paguajmë, ndërsa në vitin 2024 është eksportuar energji në vlerë prej 150 milionë eurosh,” – tha Ymeri.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë e rendit të ditës: çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur intervistimet në terren lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë.

Më 07.04.2026, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në cilësinë e dëshimtarit ka dorëzuar në Polici dëshmi rreth çështjes me njehsorët elektrikë.

“Unë jam ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitë dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e  Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar”- ka thënë Azemi më 07.04.2026.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar më 27.03.2026 dëshmitë për çka pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

KEDS kishte reaguar në raport me pretendimet e Visar Azemit se njehsorët e energjisë elektrike e masin kohën gabimisht dhe kishin garantuar se matjet janë të sakta, të besueshme dhe transparente.